Drejtori i OBSh-së për Europën dr. Hans Kluge dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu firmosën sot marrëveshjen e bashkëpunimit dy vjeçare, që ka në fokus forcimin e kapaciteteve për parandalimin dhe përballimin e epidemive dhe përmirësimin e aksesit në shërbimin shëndetësor.
“OBSH është partneri ynë strategjik. Sot së bashku me dr. Kluge, firmosim një marrëveshje të rëndësishme me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Kjo marrëveshje që firmosëm është një angazhim konkret për mbështetje per te përmirësuar aksesin në shërbimet thelbësore, forcuar kapacitetet e vendit per te parandaluar dhe kontrolluar epidemitë, për të forcuar akoma më shumë kapacitete në lidhje me inovacionin dhe dixhitalizimin si dhe për adresimin e faktorëve përcaktues të shëndetit me qëllim popullatë më të shëndetshme”, tha Manastirliu.
E pyetur nga gazetarët për testet e shpejta, ministrja Manastirliu tha se, “qeveria shqiptare do të financojë testet e shpejta, që do t’i shtohen kapaciteteve në rritje të testimeve me metodën PCR. Aktualisht është aplikuar në instrumentin europian të Përpunimit të Përqendruar për blerjen e testeve të sigurta, sepse duhet të kuptojmë që është i rëndësishëm siguria në testim dhe në këtë moment kemi aplikuar jemi gati me financimin do kemi mundësi edhe të mbështetemi nga OBSH për testet e sigurta, të shpejta. Qeveria shqiptare ka gati financimin për blerjen e testeve të shpejta”.
Kloge tha se “në Shqipëri është pesëfishuar testimi, por nuk është thjesht një zgjidhje magjike, por duhen edhe hapat e tjerë. Duhet kryer një testim i shpejtë, prandaj është e rëndësishme që OBSH të vazhdojë këtë koordinim sidomos në lidhje me testimin e shpejtë. Ne do mundohemi ti sjellim sa më shpejt në Shqipëri testime të tilla”.