Ne do të na duhet të jetojmë me virusin për një kohë të gjatë, tha sot kryeministri francez, Jean Castex, ndërsa njoftoi se qeveria po punon për rregullat që duhet të zbatohen në vend deri në ardhjen e një vaksine kundër COVID-19. “Përsa kohë që nuk kemi një vaksinë, ne duhet të japim perspektiva mbi rregullat e lojës”, deklaroi ai për të përditshmen “Le Monde”.
“Një gjë është e sigurt: grumbullimet festive, familjare, nuk do të mund të rinisin për një kohë të gjatë. Po kështu, baret dhe restorantet, të cilat janë gjithashtu pjesë e vendeve të infektimeve të larta, nuk do të jenë në gjendje të rihapen nga 1 dhjetori, ndryshe nga dyqanet e lodrave, për shembull”, shpjegon ai. Të enjten, kryeministri vlerësoi se, nëse konfirmohet një prirje e lehtë në rënie në rastet e COVID-19, do të jetë i mundur lehtësimi i masave nga 1 dhjetori, duke kufizuar në mënyrë rigoroze në dyqanet dhe në bazë të një protokolli të përforcuar.