“Produkti i reformës së fundit zgjedhore përmbushi një pjesë të rekomandimeve te OSBE/ODIHR”, tha sot përfaqësuesi i PS-së për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri i cili me ftesë të drejtuesve të lartë të ODIHR-it ka zhvilluar një takim online me fokus Projektin e Mbështetjes për Zgjedhjet në Ballkanin Perëndimor.

“Në cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit Ad-hoc për Reformën Zgjedhore dhe anëtarit të Këshillit Politik fola për procesin e rëndësishëm të reformës që ndërmori Shqipëria gjatë këtij viti ashtu sikurse falenderova ODIHR-in për mbështetjen e dhënë në të gjitha fazat e diskutimeve. Informova për përpjekjet e bëra nga mazhoranca për realizimin e një reforme me konsensus sa më të gjerë”, tha ai.

Po ashtu, Gjiknuri shton se “produkti i reformës së fundit zgjedhore përmbushi një pjesë të rekomandimeve te OSBE/ODIHR ndërsa fatkeqësisht sakrifikoi disa të tjera thelbësore vetëm për të kënaqur kërkesat e opozitës jashtëparlamentare”.

“Theksova se elementi më i rëndësishëm tashmë për besimin tek procesi zgjedhor është klima e duhur politike dhe sidomos pranimi i rezultatit zgjedhor”, tha ai.