Një gjyqtare në Miçigan ka hedhur poshtë një kërkesë të fushatës së presidentit Donald Trump, që kanë kërkuar ndërprerjen e numërimit të votave në këtë shteti. Gjykatësja Cynthia Stephen tha më 5 nëntor se ka pasur probleme kur është bërë kërkesa për ndaljen e votimeve. Seanca dëgjimore për këtë rast, erdhi në kohën kur pothuajse të gjitha fletëvotimet në Miçigan janë numëruar. Në këtë shtet, kandidati demokrat për president, Joe Biden ka epërsi prej rreth 150,000 votash. Në veçanti, fushata e Trumpit ka kërkuar nga gjykatat që të ndalojnë numërimet në Miçigan, pasi vëzhguesit e fushatës kanë pretenduar se u është ndaluar qasja në procesin e numërimit të votave.
Në Ditrojt, protestuesit pro-Trumpit u mblodhën teksa votat me postë po numëroheshin. Gjykatësja Stephen tha se sekretarja e shtetit, Jocelyn Benson, nuk ishte personi i duhur që të dërgonte këtë padi, pasi ajo si shefe zgjedhore në këtë shtet, nuk kontrollon logjistikën e numërimit të votave. Fushata e Trumpit ka dorëzuar padi të ngjashme edhe në gjykatat në Pensilvani, Xhorxhia dhe Nevada dhe ka paralajmëruar se rasti mund të dërgohet edhe në Gjykatën Supreme. Fushata e Trumpit thotë se paditë e tilla kanë për qëllim që të sigurohet se vetëm votat e ligjshme do të numërohen. Sipas rezultateve të fundit, kandidati demokrat, Joe Biden ka fituar 235 vota elektorale, ndërkaq presidenti Donald Trump 214. Për t’u zgjedhur president i SHBA-së një kandidati i duhen së paku 270 vota elektorale.