Lejla Shehu, nga Tirana e njohur si një nga profesionistet e bletarisë në vendin tonë, është një prej 1458 bletarëve, përfituese e fondit të Skemës Kombëtare 2020 me një buxhet 163 milionë lekë.

Ekipi i ATSH-së, vizitoi nga afër një nga tre parqet e bletëve të saj, të vendosur në Kërrabë 15 km larg kryeqytetit. Aty na priti Lejla me djalin e saj dhe familjarët e shtëpisë, të cilët kanë mikpritur vendosjen e mbi 30 koshereve në hapësirat e kopshtit të shtëpisë së tyre në zonën e Kërrabës.

“Punën me bletët e kam filluar që kur punoja në Stacionin e Bletë Mëndafshit, (SBM) në Tiranë në vitet 1970. Kam punuar në laboratorin e bletëve në SBM dhe aty avash avash u njoha me bletët, me shumë literaturë të huaj nga bletaria dhe më vonë pas viteve ’90 u angazhove me Shoqatën Kombëtare të Bletarëve ku kam qenë për 25 vjet edhe kryetare e kësaj shoqate. Lidhja që unë krijove me bletarët, më nxiti të merresha edhe vetë me këtë aktivitet. E nisa me dy koshere bletësh dhe synimi im ishte të prodhoja qumështin e bletës, që është mjaft i veçantë dhe i kërkuar nga tregu. Nga viti në vit unë i shtova kosheret dhe sot kam mbi 100 koshere bletësh”- tregon Lejla për ATSH-në.

Jo vetëm për prodhimet e veçanta që jep bleta, por “e para dhe më kryesorja, – thekson Lejla, – është që bleta jep ndihmesë nacionale. Përmes pjalmimit bleta i jep rritje të rendimentit të gjitha produkteve të bujqësisë. I jep ripërtëritje të gjithë natyrës, pyjeve dhe kullotave. Sot bletaria është kthyer në gjysmë industri, për kontributin dhe zhvillimin që po merr”.

“Sot në vendin tonë numri i përgjithshëm i bletëve arrin në 400 mijë bletë dhe numri mesatar i bletëve që ka çdo fermer është rritur nga viti në vit, duke prekur shifrat e 800 bletëve për fermerë dhe kjo në sajë edhe të mbështetjes financiare që jep qeveria përmes Skemave Kombëtare. 15-20% e bujqësisë është bletaria”- shprehet Lejla për ATSH-në.

Vitet e fundit qeveria ka rritur fondin në mbështetje të bletarëve dhe rrjedhimisht është rritur dhe numri i bletarëve që kanë përfituar financim nga shteti.

Duke përshëndetur vendimin e qeverisë për heqjen e taksave të naftës për bujqësinë ajo thotë se, “përfshirja edhe e bletarëve në këtë skemë do të ishte një vlerë e shtuar në zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori, pasi bletarëve iu duhet të shtegtojnë në muajt maj -qershor në distanca të largëta për kullotjen e bletëve. Ne synojmë të shkojmë sa më afër natyrës e kullotave të favorshme që është bazë për prodhimin e mjaltit cilësor”.

Për dy vite me radhë, Lejla është financuar nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, për mbarështimin e bletëve, duke fuqizuar e specializuar aktivitetin e saj të prodhimit e të tregtisë së mjaltit.

“Vitin e kaluar unë aplikova për 100 bletë dhe mora 1 milion lekë ndërsa këtë vit aplikova për 90 bletë e mora 900 mijë lekë. Skema Kombëtare është pa diskutim ndihmesë e madhe për ne”- thotë ajo.

Ajo i kullot bletët e saj në zonën e Shëngjergjit, Kërrabës dhe në Kepin e Rodonit në Durrës, duke synuar siç thotë ajo “të prodhojë mjaltë me shije nga qarku i Tiranës”. Këto janë zona që kanë kullota natyrore cilësore që e zhvillojnë bletën.

“Unë marr nga bletët mjaltin, qumështin e mbretëreshës, propolis, polenin dhe prodhoj edhe disa lloje kremrash me bazë mjalti. Ndërsa po punoj të shtoj gamën e prodhimeve nga bletët me mjaltin e veçantë të maresë”, na tregon Lejla.

Prodhimet nga ferma e bletëve të saj janë shumë të kërkuara nga klientët e përhershëm të saj të cilët sa vijnë e zgjerohen nga viti në vit edhe nga rrethe të tjera të vendit, por edhe nga klientë jashtë vendit.

Lejla, dijen dhe pasionin për bletarinë ua ka trashëguar edhe të dy djemve të saj.

“Duke u ndenjur në kokë që kur ishin të vegjël sot unë nuk jam më parësore në biznesin e bletarisë së familjes time. Tani është djali im ai që merret me punët kryesore por sigurisht që unë e asistoj për çdo nevojë që paraqitet”- shprehet ajo.

Orges Shehi, djali i Lejlas thotë se tashmë u bënë 16 vite që merret me fermën e bletëve që ka ngritur nëna e tij. “Unë merrem me zgjedhjen e kullotave të pastra ku nuk ka spërkatje me pesticide. Dëshiroj ta shtoj numrin e bletëve dhe ta zhvilloj me tej këtë biznes familjar. Për këtë kam ndjekur edhe kurse profesionale krahas praktikës që kryej në fermën tonë”- shprehet Orgesi.

Si njohëse shumë e mirë e fushës së bletarisë, Lejla thotë se, është shumë i rëndësishëm certifikimi i mjaltit, që e bën më të besueshëm tek konsumatori cilësinë dhe standardet e prodhimit. “Synoj që prodhimet nga ferma e bletëve të mia të jenë të certifikuara dhe të konkurrojnë në treg. Për këtë, duhet që bletarët të bashkohen dhe të krijojnë qendra të bletarëve. Në Shqipëri prodhohen 18 lloje mjalti. Por duhet patur kujdes që mjaltërat të mos difuzohen me njëria tjetrën, për shkak të kullotave, ku dominon majti shumëlulesh”- tha ajo.

Përveç financimit për mbarështimin e bletëve nga paratë e buxhetit të shtetit, Lejla bën apel që bletarët të bashkohen dhe të aplikojnë për ndihmë financiare për të ndërtuar linja paketimi apo përpunimi të mjaltit përmes programit IPARD.

“Shqipëria është e pasur me bimë të ndryshme, çajra, bimë medicinale që garantojnë një produkt cilësor jo vetëm për tregun vendas, por edhe më gjerë”, tha ajo.

Sot mjalti “Made in Albania” është shumë i pëlqyeshëm nga tregu vendas por edhe ai i huaj. Nëpër panaire të ndryshme bujqësore që zhvillohen bletarët zënë vend kryesor dhe kanë përfaqësimin më të madh çka tregon se ky sektor po zhvillohet dhe potencialet për rritjen e tij po mbështeten nga politikat e qeverisë.

Bletaria është degë e bujqësisë që hyn ne grupin e blegtorisë. Bletaria është fushe specifike ku bletari nuk e ka të domosdoshme të ketë prona të veta të tokës bujqësore pasi që ato mund të vendosen në vende të ndryshme.

Bletaria ka dy kategori: Bletaria urbane, ku bletarët i kultivojnë bletët në vendet e banuara urbane, e bletët i shfrytëzojnë për kullotje në parqet e qyteteve, kopshtet e ndryshme të shtëpive dhe drunjtë dekorues të qyteteve siç janë: bliri, gështenjat, akaciet e ndryshme si dhe drunjtë të tjerë. Kjo lloj bletarie, dita ditës, po merr hov më të madh për shkak se njerëzit janë të dashuruar me bletët, por për shkak të mundësive të kufizuara ato i kultivojnë nëpër qytete.

Ndërsa bletaria rurale, është më e preferuar pasi kullotat janë më të pasura në natyrë, ambienti më i pastër, ka më pak kufizime të veprimit.

Këtë vit mbështetja e qeverisë për bletarinë është dyfishur në fonde dhe është ulur numri i koshereve për të përfituar financim çka ka rritur ndjeshëm, numrin e bletarëve përfitues të Skemës Kombëtare 2020.

Fondi publik për mbështetjen e bletarisë në vitin 2020 u rrit me 749%, krahasuar me vitin 2013.

Në vitin 2013 ishin gjithsej 275 përfitues, ndërsa në vitin 2020 arritën në 1458 përfitues dhe kjo në sajë të rritjes së fondit të financimit nga 19.2 milionë lekë, në 2013 në 163 milionë lekë, në 2020.