Genci Devole, djali i artistit të njohur Koço Devole rrëfeu për gjendjen e të atit, i cili prej disa ditësh është në intubim në spitalin infektiv duke luftuar me Covid-19. Pavarësisht se tamponi i doli negativ, gjendja iu përkeqësua dhe u detyrua të rikthehej në spital.
Siç rrëfeu ai, Koço Devole ka vuajtuar më herët edhe nga leucemia, e cila ka ndikim tek gjendja e tij shëndetësore. Genci Devole në një lidhje për “Ftesë në 5” thotë se është rikthyer nga Shtetet e Bashkuara dhe shpreson që pas përmirësimit të gjendjes së aktorit, ta marrë me vete.
“Ai nuk ishte në gjendje për të dalë, por kishte insistuar. Gjendja e tij u rëndua. Kemi komunikuar çdo ditë. Ishte i pafuqishëm, nuk merrte dot frymë, megjithëse i kishim të gjitha aparatet. Kërkonte vazhdimisht oksigjen. ‘Mezi marr frymë, mezi marr frymë’,- thoshte.
Situata u komplikua dhe nuk mund t’ia jepnim shërbimet në shtëpi. Vazhdon të jetë i intubuar. Tamponi ka rezultuar negativ, por sigurisht që është përkeqësuar. Leucemia që ai ka pasur më përpara është sëmundja kryesore që ka. Ajo po e mundon. Specialistët thonë se trupi reagoi mirë. Shpresoj të qetësohet.
Unë vetë nuk e kam bërë tamponin. Meraku im tani është i përqendruar tek babai. Jam duke përgatitur dokumentet për të shkuar në SHBA, me bashkim familjar, sigurisht. Tani presim për intervistën që të na thërrasin. Presim të shkojmë të gjithë bashkë në Amerikë”,- tha Genci Devole.