“Ky është momenti që financat publike të ndihmojnë ekonominë”. Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, duke shpjeguar në studion e “ABC News” buxhetin e vitit 2021, i cili kaloi sot me 84 vota në Kuvend, ka deklaruar se vitin e ardhshëm do të kemi investime të mëdha për t’iu përgjigjur nevojës që ka ekonomia e dëmtuar nga pandemia. “Në vitin 2021 do ketë investime të mëdha, do kemi një deficit më të lartë buxhetor, sepse ky është një buxhet lufte, pra, ta pranojmë, kjo është lufta e gjeneratës sonë,” u shpreh Bushati.
Sipas anëtarit të Komisionit të Ekonomisë në Kuvend, injektimi i parave të buxhetit për investime publike është lëvizja e duhur dhe vetë thelbi i buxhetit 2021. “Mbështetja financiare duke rritur deficitin buxhetor dhe duke hedhur para të buxhetit të shtetit për të ndihmuar ekonominë, është lëvizja e duhur dhe ky është thelbi i këtj buxheti. Deficiti buxhetor mund të shkojë 6.5% në raport me GDP, investimet do jenë 7.2% në raport me GDP,” deklaroi deputeti socialist. Ai tha se projeksionet për vitin e ardhshëm janë që të kemi një rritje ekonomike 5.5%, ndësa vecoi si mbështetje të drejtëpërdrejtë të qeverisë rritjen e pagave të bluzave të bardha dhe arsimtarëve vitin që vjen, si dhe zerimin e TVSH-së për 91% të bizneseve në Shqipëri.
“Jemi një vend i vogël që ringrihemi shpejt, por jemi treguar dhe më fleksibël,” theksoi Bushati.