Ish Ministri i Shendetësisë, Gjergji Koja, në lidhje me akuzat e opozitës për fshehje të numrit të vdekjeve nga Covid19, tha se Basha e ka kthyer Covid në kauzë politik duke bërë akuza apokaliptike
“Akuza e Bashëss është apokaliptike, që fyeu dhe zemëroi bluzat e bardha në spital, që ai me hipokrizi i quante heronj. Ata i dhanë atij një shpullë të fortë me deklarimin e tyre me zë dhe figurë! Zoti Basha me këtë akuzë, njoftoi shqiptarët se e ka kthyer Covidin në kauzë politike, si duket për të kompensuar sektorin e humbjeve në Kosove” ishte reagimi i Kojës në një emision televiziv.
Koja siguroi se Ministria e Shëndetësisë nuk shpik shifra, por raporton të dhënat e institucioneve.
“Ministria e Shëndetësisë nuk shpik shifra, por raporton të dhénat e institucioneve. Vdekja nuk mund të fshihet. Çdo pacient që hyn në spital, sidomos në spital Covid, regjistrohet dhe i hapet një kartelë me të cilën e ndjek mjeku. Kjo kartele e shoqëron pacientin deri sa sherohet dhe del nga spitali, ose, fatkeqësisht, deri sa ndërron jetë. Kartelat aty janë, lehtësisht të verifikueshme dhe të hetueshme”, tha Koja.