Pandemia e Covid-19 po përhapet me shpejtësi edhe në Itali, dhe këtë fakt e tregojnë shifrat ditore që raportohen nga strukturat shëndetësore. Mjeku shqiptar në Itali, Rezart Sulçe, tha për Euronews Albania se vala e dytë e Covid-19 po shfaqet më agresive. Sipas tij, ky trend faktohet nga numri i vdekjeve, rasteve të reja, por edhe i shtrimeve në spitale. “Në Italia situata është e rëndë, edhe vala e dytë është më e rëndë së vala e parë. Sot kemi 700 të vdekur dhe 37 mijë raste të reja. 15 % e personave që bëjnë testin dalin pozitivë. Spitalet janë të tejmbushur dhe terapitë intensive janë të tejmbushura dhe ata janë në kapacitetin maksimal”, tha ai.

I pyetur për protokollet shëndetësore që ndiqen nga Italia për të kuruar të prekurit me Covid-19, mjeku kirurg theksoi se nuk ka një protokoll standard. “Ajo që mund të them është se protokollet e trajtimit janë protokolle rajonale, kombëtare dhe protokolle eksperimentale të vetë spitalit. Trajtimi ka ndryshuar gjatë këtyre muajve, sepse bëhen studime të reja”, shtoi ai. Ai u shpreh së në shtetin fqinj pacientët fillimisht i referohen mjekut të familjes, dhe pas konsultimeve ata mund t’i drejtohen spitaleve ku trajtohen të infektuarit me coronavirus. Gjithashtu, referuar bisedave me kolegët e tij, mjeku kirurg u shpreh se ka një dozë të shtuar mosbesimi ndaj vaksinës.

“Në Italia duhet t’i referohesh mjekut të familjes, dhe pastaj ai të referon nëse je për të shkuar në spital. Duke qenë se janë shtuar rastet me Covid-19, ka rënë trajtimi i sëmundjeve të tjera. Ka optimizëm, dhe flitet që nga janari do të vijnë mbi 1 milion doza për mjekët, infermierët dhe personat që janë më në rrezik. Lajmi është pritur me entuziazëm, por shumë kolegë të mi janë dyshues për sigurinë e kësaj vaksine, duke qenë se koha ka qenë shumë e shpejtë e zhvillimit të saj, por duhet të kemi besim dhe ta bëjmë”, u shpreh ai.