Një vaksinë kundër COVID-19 mund të përcillet deri në mars 2021 tek më të prekshmit, e cila së bashku me përparimet e tjera mund të ndryshojë thelbësisht rrjedhën e pandemisë. Kështu ka thënë të hënën një zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), shkruan Reuters. Bruce Aylward i tha asamblesë vjetore ministrore të OBSH-së se rezultatet e përkohshme nga prova e vaksinave në fazën e vonë të Pfizer Inc ishin “shumë pozitive”.

“Ka ende shumë punë për të bërë, këto janë vetëm rezultate të përkohshme … por disa rezultate shumë pozitive që vijnë sot – dhe shpresë për të gjithë botën ndërsa ecim përpara”, ka thënë Aylward në forumin shtetëror me 194 anëtarë. “Deri në mars, si rezultat i punës së jashtëzakonshme që ndodh globalisht ne mund të jemi në gjendje të ndryshojmë thelbësisht drejtimin dhe dinamikën e kësaj krize”, ka shtuar ai. Ndryshe, kompania Pfizer tha se vaksina e saj eksperimentale për COVID-19 ishte më shumë se 90% efektive, duke rritur shpresën pasi pandemia po shtrihet me mbi 50 milionë raste dhe 1.2 milion vdekje në botë.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus gjithashtu mirëpriti “lajmet inkurajuese të vaksinave” në një postim në Twitter. Kandidati i Pfizer-BioNTech nuk ishte në mesin e nëntë vaksinave origjinale që ishin pjesë e një strukture të drejtuar nga OBSH “COVAX” për t’i financuar dhe shpërndarë ato në të gjithë botën. Sidoqoftë, kompanitë kanë shprehur interes në furnizimin e programit dhe OBSH ka thënë se më shumë vaksina janë duke u shqyrtuar. Pfizer dhe BioNTech thanë se ata prisnin të kërkonin autorizimin e SHBA këtë muaj për përdorimin emergjent të vaksinës, duke rritur mundësinë e një vendimi rregullator që në dhjetor.