Kryeministri Edi Rama pa sot nga afër punën që po kryhet në kantieret e Rindërtimit në Kavajë, ku po punohet për shtëpitë individuale, ndërkohë që në pak javë nis puna për pallatet e reja. “Në Kavajë punohet papushim për shtëpitë e reja, për të gjithë pa dallim, si një familje”, theksoi Rama. “Gati dhe infrastruktura e dy blloqeve të Rilindjes pas tërmetit dhe në pak javë nis puna për pallatet e reja, ku do të strehohen familjet kavajase që në 26 nëntor humbën apartamentet e tyre”, tha Rama. Kryeministri Rama theksoi se rëndësi ka që janë të gjitha në rrugë tani, punohet dhe mbarohet. Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, u shpreh se “këto banesa individuale janë pjesë e lotit prej 110 banesash që po rindërtohen në bashkinë e Kavajës”. “Këtu në këtë terren janë rreth 50 banesa, ndërsa sipër në pjesën e komunave janë edhe 60 banesa të tjera”, tha Ahmetaj, ndërsa siguroi se këto banesa do të përfundojnë para 31 dhjetorit, mes datave 25-28 dhjetor.

Po ashtu Ministri informoi se me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe bashkinë e Tiranës janë 1 mijë njësi individuale, që do të përfundojnë para Vitit të Ri, ndërsa pjesa tjetër do të vazhdoj sipas loteve deri në maj 2021. “Dje kemi filluar shpërndarjen e financimit për DS4. Kemi filluar për Lezhën, Durrësin, Kavajën, Rrogozhinën. Është rindërtim me dëmtime strukturore dhe shuma është disa herë më e madhe se DS1, DS2 dhe DS3, por që duan projekte të detajuara”, tha Ahmetaj. Ndërkohë në Kavajë, ministri sugjeroi që disa godina të shpronësohen me shkëmbim, aty ku është projektuar ndërtimi i pallateve dhe hapësira mund të përdoret për park ose mjedise të gjelbra. “Sipas ligjit të bëjmë me urgjencë procedurën që ta shkëmbejmë me apartament dhe bëhet një komunitet fantastik. Edhe ato familje që janë në banesa jo të legalizuara përfitojnë nga ligji”, tha Ahmetaj.