Ende pa u mbushur viti nga tërmeti i 26 nëntorit, familjet të cilat humbën shtëpitë po sistemohen në banesa të reja, falë Programit të Rindërtimit. Në Tiranë, ku janë hapur rreth 500 kantiere rindërtimi, puna po ecën me ritme të shpejta, që çdo familje të marrë çelësat e shtëpisë së re para Vitit të Ri. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot në Kashar, për të inspektuar punimet që po kryhen për rindërtimin e shtëpisë së Dalip Kamberit, banesa e të cilit u dëmtua rëndë nga tërmeti i vitit të shkuar.
“Më vjen mirë që ende pa u mbushur viti, jemi gati me shtëpinë! Mezi pres që festat t’i kalosh shëndoshë me familjen dhe me çfarë të të dojë zemra, në shtëpinë e re. Sigurisht, ka pa fund punë për të bërë, mbaroi e jotja, do fillojë e vëllait dhe do vijojmë me këtë ritëm përditë, derisa të japim çelësin e fundit e të sigurohemi që misioni i ringritjes pas tërmetit të shkojë me sukses deri në fund, siç e ka porositur edhe kryeministri”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku siguroi se, me gjithë pengesat që po hasen gjatë këtij procesi nga ata që nuk ndërtuan asgjë, puna do të flasë vetë dhe njerëzit do të shohin veprat, jo fjalët.
“Patjetër që ka pengesa nga ata që mundohen ta politizojnë gjithçka, nga ata që kur vetë e kishin në dorë nuk qullosën gjë, megjithatë, u them kolegëve, ne duhet të vazhdojmë të ecim përpara se puna flet më shumë se çdo përgjigje. Ne i kemi sytë te puna. Në fund, njerëzit do shohin kush është për punë dhe kush është për llafe e për të penguar njerëzit që punojnë. Në Bashkinë e Tiranës kemi rreth 500 fronte pune të hapura dhe besoj fort se pjesën më të madhe të tyre do i mbarojmë para Vitit të Ri”, deklaroi ai. Kryefamiljari, të cilit po i rindërtohet shtëpia, u shpreh mirënjohës për gjithçka është bërë pas tërmetit të 26 nëntorit. “I falenderoj të gjithë nga zemra, njësinë, bashkinë, kryeministrin. Njësia na ka qëndruar gjithmonë pranë, ju faleminderit shumë!”, tha Dalip Kamberi.
“Gëzohem kur shoh ritmin me të cilin po punohet, ku para se të mbushet viti, banorët do të jenë në shtëpitë e tyre”, u shpreh deputetja e PS, Blerina Gjylameti. Kryebashkiaku Veliaj, gjatë vizitës në Njësinë Kashar dhe Lagjen 14, zhvilloi një takim edhe me stafin e njësisë, të cilët i falënderoi për punën që po bëhet në këtë zonë. “Astiri është një ndër lagjet më të mëdha të Tiranës, që rritet në mënyrë eksponenciale; pra nëse rritja në Tiranë është aritmetike, këtu është gjeometrike. Të vish në zemër të Astirit është si të luash “mos u nxeh”. Ajo që kemi trashëguar nga komuna është një urbanistikë e denjë vetëm për ata që s’dinin të bënin as shtet, as qytet, dhe tregon se çfarë mentaliteti kanë”, tha Veliaj.