Kryeministri Edi Rama ishte sot në Bubq, të Krujës, ku ka përfunduar infrastruktura nëntokësore e lagjes së re qendrore të njësisë, dhe ku javën tjetër nis puna për shtëpitë e më pas pallatet e ulëta që do të sistemojnë në total rreth 150 familje. Ndërkohë, në këtë zonë ka nisur puna për shkollën e për kopshtin dhe do të vazhdojë edhe me qendrën shëndetësore e me godinën e re të njësisë. Kryeministri shprehu bindjen se “thuajse të gjitha shtëpitë do të jenë në pranverë të mbaruara”.
“Në prill-maj me ndonjë vonesë tek-tuk, por në prill-maj këtu do të jetë pjesa e mbyllur. Shtëpitë edhe shkollat, të paktën ato që janë me financime të buxhetit të shtetit. Pastaj donatorët mendoj se do të mund të zgjaten pak më shumë, se ata i kanë procedurat pak ndryshe”, tha Rama. Ndërkohë, kryeministri theksoi se “deri në mars të gjitha kantieret e e pallateve do të jenë ngritur”.
“Kruja bën përjashtim. Krujën e kam pak shqetësim për shkak se na u desh ta ndryshonim për arsye të terrenit, se ka tjetër specifikë”, tha Rama. Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj informoi se këtu kemi një kombinim mes ndërtimit të njësive administrative të komunës dhe një zonë për njësitë individuale dhe një zonë tjetër për ato kolektivet. “Do të jenë 76 njësi individuale dhe 46 apartamente, në një zonë gati 8.3 ha e gjitha, ku përfshihen edhe ambientet komunitare. Po ashtu do të mbillen pemë në të gjithë territorin”, tha Ahmetaj. Në këtë zonë sapo kanë filluar punimet e shkollës, në të cilën mësojnë 360 nxënës. Shkolla ka 14 klasa, 5 ambiente laboratorike dhe një palestër moderne. Ministri Ahmetaj theksoi se “kjo shkollë mbaron në fund të shkurtit dhe është pjesë e lotit të fundit të shkollave”.
“Me infrastrukturën këtu po ecet me shumë shpejtësi dhe shumë shpejt do të fillohet pastaj me kombinimet e banesave kolektive dhe banesave individuale. Pallatet janë 4-katëshe dhe për 2-3 ditë fillojnë edhe banesat individuale. Vetëm me Kamzën kemi për të përfunduar procesin se në të gjitha zonat e tjera kanë përfunduar proceset dhe janë në fazën e ndërtimit, infrastrukturë plus ndërtimi i banesave kolektive dhe banesave individuale. Në Kamzë në krye të disa ditëve mbaron si proces”, tha Ahmetaj.
Ndërkohë, ministri Ahmetaj tha se “në krye të 2 muajve do ta kemi shumë të qartë se si do të jetë e gjithë zona”. Në Bubq kanë përfunduar shpronësimet dhe tani kantieri është i hapur në të gjitha drejtimet. Ahmetaj siguroi se qytetarët nuk humbasin asnjë metër katror, por marrin ato metra katror që iu shpronësohen. Po ashtu ai tha se “në maj 2021 për shtëpitë individuale, për ato që është e pamundur gjeologjikisht dhe gjeografikisht të ndërtohen, banorëve do t’u jepet vlera e plotë e ndërtimit të shtëpisë”.
“Besoj se do të kemi mbaruar me mungesa fare fare të vogla dhe gjithë pallatet do të jenë me themele për të 11 bashkitë. 59 shkolla që financohen nga buxheti i shtetit do të jenë të mbaruara dhe në proces do të jenë gati 80% e shkollave që ndërtohen nga donatorët”, tha ministri Ahmetaj.