Kryeministri Rama prezantoi sot në forumin e përjavshëm ekonomik zhvillimet e Programit të Rindërtimit. Ai theksoi se në vitin e ardhshëm parashikohet në buxhet programi i rindërtimit. “Për programin e Rindërtimit parashikohen 28 miliardë lekë në projektbuxhetin e vitit 2021. Gjithashtu është parashikuar një fond prej 1.5 miliardë lekësh për përballimin e bonusit të qirasë për familjet e mbetura të pastreha nga kjo fatkeqësi,“ tha Kryeministri. Deri tani, Rama tha se janë vendosur në dispozicion të rindërtimit 34 miliardë lekë të buxhetit të shtetit, ku rreth 32 miliardë lekë janë alokuar plotësisht.

“Qëllimi ynë mbetet deri në fund që shtëpitë e rindërtuara të jenë më të mira, më të forta dhe në shumë raste më të mëdha se shtëpitë, që humbën familjet nga tërmeti. Ne kemi zgjedhur të bëjmë një politikë të mirëfilltë strehimi për të gjitha kurorat që ishin bashkë në një kulm në shtëpitë e shembura, për të cilat do të ndërtohen shtëpi të veçanta dhe po ndërtohen aktualisht” tha Kryeministri duke shtuar edhe se puna ka avancuar në shumë prej zonave të dëmtuara “ Në Shijak, Laç, Durrës dhe në Fushë Krujë kemi tanimë një pamje evidente të një pune që shtrihet shumë përtej një rindërtimi mekanik, sepse bëhet fjalë për një rindërtim që niset nga bindja pse kjo është një krizë që patjetër duhet të krijojë një mundësi. Kjo krizë po kthehet në një mundësi jo vetëm për familjet, por për komunitete të tëra, që do të jetojnë në standarde krejt optimale. Me Durrësin lajm i mirë është se më në fund kemi përfunduar procesin e hartimit të marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara dhe tani jemi gati për linjën përfundimtare. Kemi edhe një lagje tjetër të re, më saktë një bllok pallatesh të reja, në Krujë, për të cilin po punohet intensivisht.”

Kryeministri Rama gjithashtu tha se në lidhje me shkollat dhe kopshtet puna po avancon me shpejtësi dhe se pavarësisht pengesës që shtroi pandemia, puna do të vazhdojë dhe 14 mijë fëmijë do të hyjnë në shkolla të reja, duke u bërë thirrje banorëve të kenë durim edhe për pak kohë.