Një studim i ri ka zbuluar vendet ku një person ka më shumë të ngjarë të preket nga koronavirusi. Një hetim mbi të dhënat e telefonisë mobile të 98 milionë njerëzve zbuloi se rreth 80 përqind e infeksioneve ndodhin në të njëjtat vende. Studimi amerikan zbuloi se palestrat, hotelet, restorantet dhe kishat janë përgjegjëse për rreth katër të pestat e rasteve të reja të virusit, siç raportohet nga “The Mirror”.
“Këto janë vende të vogla, më të mbushura me njerëz, ku këta të fundit qëndrojnë më gjatë”, tha bashkautori i studimit dhe profesori i Universitetit të Stanfordit, Jure Leskovec në një konferencë për media në lidhje me kërkimin, siç raportohet nga CNN.
Shkencëtarët gjurmuan lëvizjen e njerëzve në vende si restorante, palestra, kafene, hotele dhe supermarkete, si dhe te vendet e adhurimit, teksa shqyrtonin numrat e rasteve me Covid-19 në zona të ndryshme.
“Mesatarisht në të gjithë zonat e metrosë, restorante me shërbim të plotë, palestra, hotele, kafene, organizata fetare dhe restorante me shërbim të kufizuar u pa shtim i rasteve të reja,” thuhet në studim. Studimi u përqendrua në 10 qytete kryesore amerikane duke përfshirë Filadelfian, Nju Jorkun dhe Uashingtonin.