SHBA-ja shpreson të fillojë fushatën e vaksinimit kundër COVID-19 para mesit të dhjetorit, pasi të kenë marrë miratimin nga autoritetet shëndetësore dhe deri në 20 milionë persona mund të imunizohen para fundit të vitit nëse të gjithë shkon siç është planifikuar. “Plani ynë është që të jemi në gjendje të transportojmë vaksinat në vendet e imunizimit brenda 24 orëve nga miratimi, kështu që unë pres që të jetë ndoshta në ditën e dytë pas miratimit, më 11 ose 12 dhjetor”, deklaroi për CNN, Moncef Slaoui, një zyrtar i lartë i operacionit qeveritar për vaksinat.
Slaoui u pyet për datën e pritshme të vaksinimeve të para në SHBA. Imunologu Anthony Fauci, personalitet shumë i respektuar në vend, u shpreh gjithashtu optimist për avancimin e përpjekjeve. “Nëse gjithçka shkon sipas planit dhe vaksinat marrin autorizimin nga autoritetet shëndetësore, ne do të mund të kemi 20 milionë persona të cilët do të mund të vaksinohen deri në fund të dhjetorit”, theksoi Fauci për CBS.
Moncef Slaoui gjithashtu theksoi se shpresonte që sapo të niste një fushatë vaksinimi masiv, vendi mund të priste të arrinte “imunitet kolektiv” në maj. “Normalisht, me nivelin e efektivitetit që kemi (95%), imunizimi 70% apo më shumë i popullsisë do të mundësonte të kemi një imunitet të vërtetë kolektiv. Kjo do të ndodhë ndoshta në maj”, konfirmoi ai.