Nuk merret pushteti duke numëruar të vde kurit. Kryeministër nuk mund të bëhesh duke përgjuar pas vrimës së çelësit dyerve të morgut, në tentativën dashakeqëse për të çuar shqiptarët në dëshpërim e frikë; me shpresën e rebelimit, që mund të japë karrigen. Z. Basha duhet ta kuptojë që nuk luhet me jetën e njerëzve, boll është abuzuar deri tani me gjuhën e gjatë të gënjeshtrave. Ai pozicion që zotëria pretendon do një luftë të pastër idesh, vizioni dhe frymë shprese. Nuk pranon më akuza, intriga dhe lojën e ndyrë të dekadave me radhë, që përsërit veten në mënyrë ciklike. Shqiptarët nuk kanë më nevojë të mbajnë në bark vrerin e klasës sonë politike, që tenton të zgjasë tentakulat e së keqes, sa herë ndodhet në hall. Dhe ne përtypim e përtypim pambarim fjalët e dhunës, të egërsisë dhe paaftësisë së atyre që kërkojnë të na hipin mbi kurriz.

Ka ditë që në artikulimet publike nga mëhalla jonë e vogël e thashethemnajave mediatike përmenden sisteme diktatoriale që lulëzojnë në kohë të vështira dhe marrin hov prej frikës popullore; nuk lihet eksperiencë diktatori pa u zhubravitur prej varrit për tu gjalluar në muret fejsbukjane, mbushur me patos; na ri-sillet historia si një kufomë e mbetur peng që s’dimë ku ta përplasim për harresë; dhe ne ngopemi në marrinë e histerinë tonë të dhimbshme. Nga njëra anë thonë që Edi Rama po tregon sjellje diktatoriale me situatën e Covid (d.m.th. po tenton të ngjallë frikën); e nga ana tjetër janë të njëjtën që akuzojnë se Edi Rama po fsheh shifrat e vërteta të të vdekurve nga Covid (d.m.th. po shmang frikën). E po ky grupim njerëzish duartrokasin që Lulzim Basha nxjerr të vdekurit e morgut dhe tregon se një ditë ashtu do përfundojmë të gjithë, me shprehjen që përmbyll romanin kafkjan, “si qen” (d.m.th. ngjall frikën).

Jam duke kërkuar kush po shfrytëzon fatkeqësinë tonë të përbashkët dhe dhimbjen tonë, prej vdekjes politike që ka kapluar vendin, për të marrë kurorën e diktatorit. Dhe ne përtypim e përtypim derisa të na mbajë kurrizi ynë; se helbete jemi sprovuar për dekada, dimë të jetojmë me vuajtjen që na e ngarkojnë mbi supe, pa bëzajtur. Diktaturat i sjellin popujt, nuk bien nga qielli: i sjell brishtësia jonë kolektive! Dhe ne të gjithë bashkë duhet të jemi vigjilentë që mos lëmë në gjirin tonë të shtrijë rrënjët kanceri i një pushteti të fituar nga dëshpërimi i njerëzve.
Mund të flasim ditë e natë për idealin atdhetar dhe kushtet që mjedisi ynë politik duhet të plotësojë për të qenë në lartësinë e vështirësive që Shqipëria mbart; dhe vetëm një forcë e madhe dashurie për vendin mund t’i mbyllë ato plagë që na kanë lënduar për dekada. Unë, ashtu sikurse ti dhe secili prej nesh jemi në gjendje të kuptojmë si duhet të jetë çdo politikan që i qaset statusit të cilin pretendon, kriteret me të cilat shfaq synimet dhe aftësitë menaxheriale për të qenë në lartësinë e detyrës. Nuk ka asnjë prej nesh të mos e dijë cila qasje është më e mira për atdheun tonë të përbashkët; dhe detyra jonë është të jemi të vetëdijshëm për të kaluar në filtra çdo premtim që bëhet në emrin tonë.

Në këto kushte, aktualisht kemi një tjetër debat, i cili pas gjashtë muajsh do jetë kryefjala e të ardhmes 4 – vjeçare të Shqipërisë. Zgjedhjet parlamentare janë një gur themeli i domosdoshëm për të përcaktuar drejtimin me të cilin do udhëtojmë një mandat qeverisës, që në vonesën tonë të ngahershme, është një kohë relativisht e gjatë. Ndaj, nuk mund të mbyllim njërin sy për të verbuar kohën e përbashkët që kemi për të ardhmen e vendit. Z. Basha po tenton të luajë me të vdekurit, të bëjë politikë me ta, t’i thërrasë çdo drekë për qoka politike dhe të jetojë mes të vde kurve, si një figurë e tretur politikisht, që e mbajnë në këmbë iluzionet vdekatarë të dëlirit për pushtet. Shqipëria nuk meriton të vd esë dhe të jetë një kuf omë që qelbet era, por duhet të kthehet në vendin e begatë që na bën krenar të gjithëve. Dhe për këtë, duhen gjetur energji të reja, një frymë shprese që mban gjallë ëndrrën tonë për ta parë Shqipërinë “zonjë!”