Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një komunikim me median për rimbursimin 100% të paketës bazë të trajtimit ambulator për pacientët e diagnostikuar me COVID19, është ndalur edhe tek situata e krijuar në spitale për shkak të virusit.
Sipas Manastirliut deri më tani në strukturat Covid 1, 2 dhe 3, ka ende 15-20% të shtretërve të lirë. Ndërkohë ka shtuar se spitali covid 4 është gati.
“Aktualisht kemi të konfirmuara me Covid-19, 29837 raste, duke prodhuar një incidencë prej 1042 raste për 100 mijë banorë dhe duke bërë një krahasim me rajonin, incidenca është më e ulët se rajonit dhe ajo e Evropës. Shtimi i rasteve të konfirmuar ka shkaktuar rritje mesatare të rasteve javore, në 518 në javën e 46 të pandemisë. 52% të këtyre rasteve janë femra dhe 48% janë meshkuj. Ka rritje të lehtë rastesh aktive, 526 raste aktive për 100 mijë banorë. Fataletiteti, kemi 646 humbje jete apo 22.7 fatalitete për 100 mijë banorë. Mortaliteti është më i ulët se ne rajon. 15-20% shtretër të lirë në tre struktura si dhe është në gatishmëri struktura e katërt.”