Dy skema mjekimi falas për mjekimin ambulator të pacienteve. Financojmë 1.2 miliard lekë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në një komunikim me median ka bërë të ditur vendimin për rimbursim e trajtimit ambulator në banesë. Manastirliu theksoi se nga financimin prej 1.2 miliard lekë qytetarët do të përfitojnë nëpërmjet dy skemave sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

“Të dyja skemat e mjekimit janë pjesë e udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Mjeku i familjes e di kur trajtohen, si trajtohen, kur merret skema e parë e trajtimit, çfarë elementësh ka skema e parë apo e dytë, këtë e përcakton mjeku”, tha Manastirliu.

Duke u shprehur se këto paketa mbështetëse vijnë në momentin e duhur, Manastirliu tha: “Paketa e rimbursimit për trajtimin ambulator në banesë të personave të testuar pozitiv me Sars-Cov-2 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Skema 1 e trajtimit e cila përfshin format e lehta të prekjes nga infeksioni i shkaktuar nga Sars-Cov-2. Skema 2 e trajtimit e cila përfshin format e moderuara të prekjes nga infeksioni i shkaktuar nga Sars-Cov. Kostoja vjetore parashikohet 1.2 miliard lekë në vit”, tha Manastirliu. Manastirliu ju bëri apel qytetarëve të lidhen me mjekët e familjes dhe të mos mjekohen me receta whatsup-i.