Një ditë në San Siro, në vitin 1995, Marco van Basten mori pjesë në funeralin e tij. Ishte vetëm 30 vjeç, por kaviljen e kishte copë-copë, të dëmtuar më tepër nga kirurgët se nga ndërhyrjet e mbrojtësve. I veshur me një xhaketë kamoshi ngjyrë kafe, sipër këmishës rozë, mes përpjekjeve që të mos qante, ai xhiroi rreth fushës ku kishte aq shumë kujtime, duke përshëndetur me dorë tifozët e Milanit. Në pankinë, trajneri i tij tregoi se në fund të fundit nuk ishte prej guri: Fabio Capello qau! (Vite më pas, teksa shihte fotot, Van Bastenit nuk i besohej: O Zot, me të vërtetë po qan?) Qendërsulmuesi ndoshta më i bukur në histori, kishte marrë duartrokitjet e fundit.

Marcel ‘Marco’van Basten e nisi udhën e tij në një familje të qetë të klasës së mesme në Utreht. Babai i tij, Joop, ish-futbollist gjysmëprofesionist, e shfaqi ambicien që kishte për djemtë duke i vënë të madhit emrin Stanley (si legjendari Stanley Mathews). Për fat të keq, ai nuk kishte fare lidhje me futbollin. Marco nuk ishte nga ata fëmijë që ushqehen me përralla. Joop kujton: Kur ishte rreth tetë vjeç, solla në shtëpi një dërrasë të zezë dhe vizatoja me shkumës situata ndeshjeje, si duhej të krijonte hapësirë për daljen e mesfushorëve përpara. I tregoja si të luante pa top, sepse me top ishte i zoti të bënte gjithçka.

Ka futbollistë që lindin të mëdhenj, të tjerë bëhen të tillë. Van Basten i kishte të dyja. Ruhet ende edhe sot fleta e letrës ku djaloshi Marco përshkruante 14 finte, disa të marra nga Johan Cruyff e Didier Six, të tjera të marra nga lojtarë të panjohur amatorë në Utreht. Ai i bënte për mrekulli që të gjitha.

Më 1982, debutoi për Ajax: ishte 17 vjeç, hyri në vend të Cruyff dhe shënoi. Një vit më vonë, luante për Holandën. Në moshën 18 vjeç, së bashku me djem të tjerë si Ruud Gullit e Ronald Koeman, Van Basten udhëhoqi fitoren 3-2 kundër Irlandës, e cila hyri në historinë e futbolli holandez me emrin Mrekullia e Dublinit. Ishte lindja e skuadrës holandeze që gjashtë vjet më vonë do të fitonte trofeun e vetëm ndërkombëtar: Euro ’88.

Van Basten i bëri të gjitha këto ndërsa ishte ende nxënës shkolle. Shënonte pa pushim, por kjo ishte më e pakta që bënte. Fëmijët e viteve ’80, si Ruud van Nistclrooy e Thierry Henry, e adhuronin për stilin e tij. Ishte më eleganti i futbollistëve: i gjatë, me trup të drejtë dhe me këmbë të gjata, pak muskulore e të pambrojtura, të cilat do të bëheshin shkaku i rënies së tij. Koreografi holandez Rudi van Dantzig shkroi një pjesë të shkurtër baleti, i inspiruar nga lëvizjet e Van Bastenit. Van Basten mund të luante me topin me pjesë të ndryshme të këmbës. Shumica e sulmuesve zakonisht shënojnë një apo dy lloje golash në mënyrë të përsëritur. Van Basten i shënonte të gjitha llojet e golave. Dhe e shihje gjithmonë të mendonte. Nga trajnerët e tij kishte mësuar të mos bazohej te intuita. Gjatë një ndeshjeje, topin mund ta kesh në kontroll për një minutë. Në 89 minutat e tjera, arti i tij ishte pozicionimi i duhur.

Vite më pas, një prej kundërshtarëve të tij të rregullt në kampionatin holandez, Adrie Andriesen, iu kërkua të përmblidhte lojën e Van Bastenit. Andriessen, ish-qendërmbrojtës i Sparta Roterdam, u mendua pak: Ishte shumë i mirë me të majtën, gjuante shumë mirë edhe me kokë. Mendoj se kjo e bënte të kompletuar. Bergkamp është lojtar i momentit, Ronaldo (braziliani) është individualist. Van Basten luante edhe për skuadrën. Van Basteni futbollist më ka dhënë shumë kënaqësi.

Por ajo çka qendërmbrojtësit i kanë dhënë Van Bastenit ka qenë shumë dhimbje. Këta gjigantë e nuhatnin brishtësinë e kaviljes së tij. Kur ishte fëmijë, më se një herë ka dalë nga loja duke qarë për shkak të shkelmave. Vani Basteni i ri dëshironte të luante në mesfushë, ku kishte më pak dhimbje, por i ati i tha Marco, ka shumë mesfushorë të mirë dhe vetëm pak sulmues të mirë. Babë e bir e paguan që të dy çmimin. Në dhomën e fëmijërisë së Marcos, plaku ka varur dy fotografi. E para tregon të birin e tij duke festuar, e dyta e tregon duke qarë, pas dy goditjeve në gjenitale nga një amerikano-jugor. O Zot, sa dhimbje ka provuar ai djalë, i është rrëfyer Joop kronikanit të besuar të Van Bastenit, Hugo Borst. Sa here që më përcillte në aeroport pas ndeshjeve në San Siro, më ankohej për dhimbjet dhe ënjtjet në kyçe.

Van Basten nuk ishte i duruar me mbrojtësit. Andriessen kujton: Nëse arrije ta ndaloje dy herë, fillonte të ankohej. Të shante ose të shtynte. Ka edhe më keq: Van Basten i mësoi Bergkampit rëndësinë e të qenit i pari agresiv. Në fakt, dëmtimin e parë në kaviljen e tij famëkeqe e ka pësuar pikërisht për shkak të një faulli të ashpër ndaj një kundërshtari në kampionatin holandez.

Një futbollist personaliteti i të cilit shkëlqeu në çdo prekje, Van Basten ishte arrogant dhe i pëlqente t’i poshtëronte mbrojtësit, me këmbë por edhe me fjalë. Ej, Bergomi, i tha mbrojtësit të Interit gjatë një derbi të Milanos, jo vetëm që s’di të luash futboll, por je edhe i shëmtuar. Giuseppe Bergomi iu përgjigj: Ndoshta, por unë nuk dal në gazeta, të paktën jo për probleme me gruan. Kjo vjen ngaqë je shumë i shëmtuar, i shpjegoi Van Basten. Pas ndeshjes, Bergomi e gjuajti me shpullë.

Zeniti i poshtërimit që Van Basten u bënte mbrojtësve erdhi në mesin e qershorit 1988. Ai nuk pritej të luante në finalet e kampionatit evropian që u zhvilluan në verën e atij viti në Gjermani. I dëmtuar për pjesën më të madhe të sezonit, kishte dalë pas Johnny Bosman dhe Viem Kieft në listën e sulmuesve. Cruyff, mentori i tij, e këshilloi të largohej nga turneu.

Van Basten qëndroi në kampin holandez, duke pirë cigare fshehurazi, hyri në lojë në ndeshjen e dytë, kundër Anglisë, dhe shënoi tre gola. Mbrojtësi 21-vjeçar i Anglisë, Tony Adams, u dërrmua nga shtypi anglez. Ishte gjë e ekzagjeruar: pamjet televizive treguan se Van Basten ishte tallur me Adams vetëm në golin e parë. E megjithatë, siç e thotë edhe vetë Adams në autobiografinë e tij, Addicted, mbrojtësi u shndërrua në një simbol të gjithçkaje që ishte e ngathtë dhe e trashë në futbollin anglez. Digjte si dreq. pranon Adams. Fshehtas, Adams ishte dakord me kritikët: ai e dinte se Van Basten – më i miri që jam ndeshur ndonjëherë – ishte shumë i mirë për të. E mbyti dhimbjen duke pirë. Në këtë mënyrë, pa dashje, Van Basten ndihmoi në shndërrimin e Adamsit në një alkoolist. Por Adams thotë: në një farë mënyre, ishte një përvojë e paçmueshme. U ktheva i mbushur plot vendosmëri për të treguar se isha më i mirë nga sa thoshin”. Pa Van Bastenin, Adams nuk do të ishte bërë kurrë aq i mirë.

Në gjysmëfinale, Holanda mundi skuadrën vendase, Gjermaninë Perëndimore, 2-1, falë një goli të Van Bastenit në minutën e 89-të, i cili dukej i pamundur: duke rrëshqitur me shpejtësi të madhe në të djathtë, e gjuajti topin në krahun e majtë, duke mposhtur portierin që nga hyrja e zonës. Në Holandë, miliona njerëz dolën rrugëve në grumbullimin më të madh publik që nga çlirimi, më 1945. Ajo ndeshje ishte hakmarrje për luftën.

Qendërmbrojtësi i Gjermanisë, Jurgen Kohler, kujtonte dhjetë vjet më pas: U kritikova ashpër. Të duhet kohë për ta kapërcyer diçka të tillë. Atëherë Van Basten ishte ndoshta pak më mirë, apo ndoshta lojtari me pak fat më tepër. Por i thashë vetes se duhej të punoja edhe më tepër. Me kalimin e viteve, kam mësuar shumë nga ajo ndeshje. Mendoj se Van Basten ka qenë një lojtar shumë, shumë i rëndësishëm për karrierën time. Pra, ashtu si Adams, pa Van Bastenin, ai nuk do të ishte bërë kurrë aq i mirë? Pikërisht. Është pikërisht kjo, duhet ta them fare qartë.

Van Basten i vuri kapakun gjithçkaje në finalen e Mynihut, me golin në ajër mbi kokën e portierit sovjetik, Rinat Dasajev, i cilësuar gjerësisht si goli më i bukur i shënuar në ndonjë finale ndërkombëtare. Turmës iu desh pak kohë për të reaguar, sepse nuk e kuptoi menjëherë çfarë kishte ndodhur. Vetë Van Basten i ka treguar Hugo Borstit më vonë: Nëse e provoj dhjetë herë të tjera tani, nuk kam për të shënuar kurrë më. Ky është moment që të jepet vetëm një herë.

Pas asaj vere të artë, Van Basten i kaloi katër vitet pasardhës si një ikonë e lumtur. Ditët e javës, çdo mëngjes, shkonte në Milanelo, qendra stërvitore e Milanit. Pak shaka me djemtë, stërvitje në natyrë, pasta për drekë, një kafe ekspres, e pastaj kthimi në shtëpi, në zonën rurale lombarde, me ndjesinë e mirë që ke kur je top fizikisht. Midis shokëve të skuadrës kishte edhe dy tulipanë të tjerë, Frank Rijkaard dhe Ruud Gullit. Nga jashtë supozohej se Rijkaard e Gullit ishin shokë të ngushtë, meqenëse ishin të dy të zinj dhe ishin rritur bashkë në Amsterdam. Në fakt, Rijkaard ishte më i afërt me Van Basten, edhe ai një vëzhgues ironik, ndërsa egoisti karizmatik Gullit pushtonte skenën.

Një skicë humoristike e një dreke në Milanelo: Gullit ligjëron përsëri në tryezë. Disa lojtarë të rinj e dëgjojnë me gojë hapur, ndërsa pranë tij, Van Basten ha i patrazuar. Pastaj, Mauro Tassotti. i pëshpërit nga një tavolinë tjetër: Marco, shiko! Tassotti vë dy panine në veshë, për të përqeshur veshllapushin Gullit. Van Basten e sheh me bisht të syrit, ngre gjysmën e vetullës në shenjë miratimi dhe vazhdon të hajë me indiferencë. Nuk është çudi që Gullit i vuri Van Bastenit epitetin Basic, si gjuha e kompjuterit. Njeri i ngrohtë Van Basten nuk bëhej fjalë të ishte. Te Milani, Van Basten ishte brilant, por tashmë i dëmtuar. Më 1996, pas tërheqjes nga futbolli, ai hodhi një vështrim prapa në karrierën c tij, së bashku me Borst, në një dokumentar televiziv të titulluar Monument për Van Basten. Në film, dy burrat ulen në karrige dhe shohin për orë të tëra në videokasetë karrierën e Van Bastenit, duke diskutuar për atë çka shohin. Gjë veçanërisht e rrallë, sepse Van Basten – ndryshe nga Gullit – nuk e pëlqente shtypin dhe kurrë nuk shfaqi ndonjë dëshirë për të folur për veten. Kësaj here duhej të fliste. Në një moment, thotë: Kam pasur teknikë të mirë, por preferoj të shoh tipa më të vegjël: Maradona, Cruyff, Romario, njerëz të shkathët. Sigurisht, stili im ishte i mirë, por mendoj se të tjerët ishin më të mirë.

Më pas, duke parë një gol të tijin në kampionatin holandez më 1985: Këtu kam pasur stil më të mirë se më pas, sepse këtu kam ende dy kavilje të mira. Shihet që mund të qëndroj më mirë mbi të dyja këmbët dhe të shtyj me të djathtën. Shiheni, me dy këmbë. Më vonë, te Milani, e kisha më pak këtë gjë. E megjithatë, kjo nuk e ndaloi të fitonte dy Kupa Kampionesh, tre tituj në Serie A dhe tre Topa të Artë.

Në qershor 1992, gjatë përgatitjeve për kampionatin evropian në Suedi, Holanda u ndesh me një skuadër amatore, ASC, dhe fitoi 17-0. Mbrojtësi Mark Roest vinte në dukje: Gjëja që vura re më tepër te Van Basten ishte se ai bënte nga minuta e parë tek e fundit sprinte të shkurtër. Pushonte dhe pastaj një tjetër sprint i shkurtër. M’u këputën këmbët. Duke e parë nga televizori, Roest kishte krijuar përshtypjen se VAn Basten ishte dembel dhe moskokëçarës. Në Euro ’92, Van Basten humbi penalltinë vendimtare pas barazimit me Danimarkën dhe Holanda u eliminua. Në vjeshtë shënoi katër gola në një ndeshje kundër Goteborgut dhe pas saj luajti vetëm një grusht ndeshjesh të tjera. Doli nga skena duke çaluar në moshën 28 vjeç, një numër 9 që vdiq i ri, shkruan Borst.

Duke komentuar karrierën e tij te Monumenti, Van Basten nuk e cilëson veten si klas botëror, si Cruyff, Pelë apo Maradona. Më tej shton: Pastaj vjen klasi evropian, me Platini e Beckenbauer dhe mendoj se unë jam aty pranë. Kur shoh Platini, Beckenbauer e Keegan, nuk më duket vetja shumë më poshtë. Fjalia e tij e fundit në film: Gjynah që përfundoi kështu.

Monument për Van Basten ishte një nga shfaqjet e tij të pakta në televizion për një dekadë. Kirurgët ia kishin torturuar kaviljen. Pas tërheqjes erdhën vitet e dhimbjes, depresionit, kafes me shumicë. Provoi disa nga simptomat që ka një i dhënë pas drogës teksa intoksikohet. Më vonë zbuloi golfin, një lojë për të cilën arriti në përfundimin se ishte më e bukur se futbolli. Skuadra e tij fitoi kampionatin holandez për amatorët. Ai e la sportin pasi arriti pikën ku nuk mund të përmirësohej më. Më 1999, Cruyff organizoi një ndeshje midis djemve të vjetër të Ajax-it, në Amsterdam Arena. Van Basten, duke e parë ndeshjen nga stoli, pa se nuk mund të rezistonte më. Hyri si zëvendësues, pa u njoftuar nga spikeri i stadiumit, dhe gradualisht, ndërsa gjithmonë e më tepër njerëz në turmë po e dallonin se cili ishte, vala e duartrokitjeve erdhi në rritje. Pensionisti invalid u bë njeriu i ndeshjes, me ndërhyrje, vrapime, ngritje duarsh drejt qiellit sa herë që humbiste ndonjë gjuajtje me kokë. Kur shënoi pas një pasimi të shkurtër nga Cruyff, vrapoi te mësuesi i vjetër dhe ia ngriti me radhë të dyja duart lart. Në kolltukët anembanë Holandës, teleshikuesit u rrëqethën. Holandezët e ndjejnë, ashtu si dhe Van Basten, se diçka u la në mes. Ai u sakrifikua për futbollin. Pjesërisht për atë çka i ndodhi Van Bastenit, ndërhyrjet nga prapa tani janë të jashtëligjshme. Është ndoshta falë tij që gjeni të brishtë, të ardhur më vonë në futboll, patën karrierë më të gjatë. Por, askush nuk mund të kompensojë atë që futbolli humbi me Van Basten.