Kryeministri Edi Rama ka reaguar edhe njëherë në lidhje me akuzat e ngritura ndaj kreut të PD, Lulzim Basha ditët e fundit se ka pasur një rol në fshehjen e kasetës me filmime që vërteton masakrën e serbëve në Krushë të Kosovës si dhe me dosjet e UÇK.
Kreu i qeverisë kërkoi sërish arsyen se përse PD dhe LSI votuan pro rezolutës së Këshillit të Europës që ishte ngritur mbi raportin e Dick Martyt.
“Përfaqësuesi i një force që do të qeverisë vendin ka një detyrë të mbajë qëndrime dhe të shikojë në sy njerëzit dhe të thotë atë që i takon në çështje të caktuara, po që lidhen me të. Nuk flasim për jetën private, apo punët private. Po flasim për një detyrim shumë të thjeshtë, që një lider, një drejtues ka të shpjegohet. Patjetër që në këtë rast jam aspak i dëshiruar që këto akuza që i bëjnë njerëz të tjerë, të mos jenë të vërteta. Seç punë ka partia të bëjë deklarata. Kjo është individuale. Është detyrimi im t’i them Bashës të shpjegohet.
PD dhe LSI dhe kanë votuar rezolutën e bazuar tek akuzat e Dick Martyt. Ishim dy palë në Strasburg dhe votuam ndryshe për të njëjtën çështje. Mund të kenë argumenta. Të tregojnë pse votuan pro. Këto janë në funksion të detyrës që kam. Të gjitha të tjerat janë dokrra. Nuk kanë të bëjnë me arsyen pse ne kemi ngritur këtë çështje. Dikush që do të drejtojë shtëpinë nuk mund t’i bëjë bisht këtyre pyetjeve. Kjo është një çështje karakteriale e rëndësishme”, tha Rama.