Pjesa më e madhe e qyteteve dhe komunave të Kosovës janë zgjuar sot nën masa më të rrepta kufizuese, për frenimin e rasteve të reja me koronavirus. Duke e ndarë vendin në zona të kuqe, të verdhë dhe jeshile, qeveria do të fusë pjesën më të madhe të vendit në izolim total pas orës 19:00 të mbrëmjes. Në zonën e kuqe bëjnë pjesë komunat me rrezik të lartë, me mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zonë janë 18 komuna: Prishtina, Fushë-Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Shtimja, Podujeva, Peja, Ferizaj, Mitrovica e Jugut, Vushtrria, Lipjani, Vitia, Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Kamenica.

Në komunat që gjenden në zonën e kuqe, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve, si dhe ndalohen hyrjet daljet deri në orën 05:00 të mëngjesit. Qeveria e Kosovës thotë se ka rritur kapacitetet shëndetësore për përballjen me pandeminë. Në zonën e verdhë bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm, që kanë prej 76 deri në 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zona janë 14 komuna: Prizreni, Klina, Deçani, Drenasi, Malishevë, Suhareka, Novobërda, Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Kaçaniku, Kllokoti, Rahoveci dhe Skenderaj.

Komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e verdhë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00. Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00, por pas orës do të 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”. Qendrat tregtare lejohen të punojnë prej orës 05:00 deri në orën 18:00. Në zonën e gjelbër bëjnë pjesë komunat me rrezik të ulët apo komunat prej 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zonë bëjnë pjesë 6 komuna: Mamusha, Dragashi, Shtërpca, Juniku, Istogu dhe Hani i Elezit.

Në komunat që hyjnë në këtë zonë me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00. Transporti publik në këto komuna do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve. Qendrat tregtare në këto komuna do të mund të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 20. Veprimtaria e hotelerisë dhe restoranteve ndalohet pas orës 20:00, përveç shërbimit” merre me vete” ose dërgesave. Gjaë 24 orëve të fundit, në Kosovë kanë humbur jetëm 11 pacientë dhe janë regjstruar 855 raste të reja.