Ish deputetja e Partisë Demokratike për Qarkun e Dibrës, Dhurata Tyli, Çupi, tha sot se ka marrë sms nga qytetarë matjanë dhe sipas saj ato janë kundër riasfaltimit të rrugëve të Burrelit. Çupi pretendon se asfalti ka qenë i padëmtuar dhe riveshja e rrugëve bëhet për të zhvatur fondet për fushatë. Ajo shkoi më tej kur tha se të njëjtin asfalt po e përpunojnë në Laç. Agron Malaj, kryetar i Bashkisë Mat hodhi poshtë akuzat dhe i kujtoj Çupit se riasfaltimi i rrugëve të qytetit, të dëmtuara rëndë prej më shumë se 10 vitesh, është prioritet i Bashkisë Mat.
“Gropa, plasaritje asfalti, disnivel në rrugë, ishin disa nga problemet që përballnin çdo ditë drejtuesit e mjeteve në qytetin tonë, duke pësuar dëmë të konsiderueshme në mjetet e tyre.”, shkruan Malaj. Kryebashkiaku e fton ish deputeten të zbresë në Mat dhe të shohë kantieret e ndërtimit dhe të kuptojë se gjithçka po investohet në interes të qytetarëve. Ai shtoi se asfalti i gërryer në rrugët e Burrelit është grumbulluar në mjediset e Ndërmarrjes së Rrugëve dhe do të përdoret për rrugë të tjera në Bashkinë e Matit.
Postimi i Malajt:
Riasfaltimi i rrugëve dhe deputetja “fantazmë”!
(Dhurata Tyli ,Çupi)
Riasfaltimi i rrugëve kryesore në Bashkinë #Mat është një nga prioritetet e buxhetit për vitin 2020! Rrugët e qytetit tonë ishin kthyer në “gropa thithëse” parash çdo vit nga buxheti i bashkisë dhe problemi nuk zgjidhej me themel. Dy vitet e fundit (2018-2019), janë harxhuar afro 30 milionë lek të vjetra për këto rrugë. Gropa, plasaritje asfalti, disnivel në rrugë, ishin disa nga problemet që përballnin çdo ditë drejtuesit e mjeteve në qytetin tonë, duke pësuar dëme të konsiderueshme në mjetet e tyre. Ne vendosëm ndërhyrjen totale në të gjitha rrugët kryesore, e cila së bashku me Rikualifikimin Urban të sheshit dhe me rehabilitimin e Parkut “Mbretëresha Geraldinë”, plotësojnë një kuadër të rëndësishëm investimi për qytetin.
Ndaj, znj.deputete që merr guximin të publikojë mesazhe të sajuara, e ftoj në një inspektim të këtyre veprave për të kuptuar që gjithçka po bëhet në shërbim të qytetarëve! Sa për sajesën qe asfalti hequr përpunohet ne Laç, të vije ta inspektojë se po grumbullohet tek Ndërmarja e Rrugëve për ta përdorur në fshatrat dhe rrethinat e qytetit Burrel. Do të ishte mirë që ta vizitonte më shpesh qytetin e saj për të parë me sy transformimin pozitiv që po ndodh, kështu do i shmangte vetes dhe këto situata të pakëndshme për elektoratin e djathtë matjan.