Nga Mero Baze/

Socialistët po planifikojnë të ngrejnë një Komision Parlamentar mbi rolin që Lulzim Basha ka luajtur në atë që ata e quajnë fabrikim të akuzave, ndaj disa ish- krerëve të UÇK-së, për kr ime luf te në Kosovë. Prej gati një jave, qyshkurse Gjykata Speciale ka thirrur në Hagë katër udhëheqësit kryesorë politik të Kosovës së sotme dhe UÇK-së së djeshme, Lulzim Bashës po ja përsërisin si refren historinë e tij, si i përfshirë në ekipin e hetuesve që kanë fabrikuar prova ndaj UÇK-së.

Në përgjigje të tyre, Lulzim Basha ka një reagim patetik, që anashkalon aku zën dhe e quan atë politike. Madje shtypi pro tij shkon dhe më tej, dhe e konsideron të padobishme fushatën e socialistëve, pasi sipas tyre, kjo nuk ka dhënë efekt dhe herëve të tjera, kur e kanë përdorur. Që fushata e akuzës ndaj Lulzim Bashës ka qëllim politik, kjo nuk do shumë mendje për t’u kuptuar. Që edhe nisma për një Komision Parlamentar është po ashtu një mënyrë për ta diskretituar politikisht, nuk ka nevojë ta zbulojë njeri, se është qëllim i nismës.

Problemi është mënyra se si Basha ka zgjedhur të mbrohet. Basha ose duhet të mbrohet politikisht, siç mbrohet Sali Berisha, ose duhet të mbrohet teknikisht dhe të injorojë sfondin politik të kësaj iniciative. Sali Berisha përshembull, nuk ka komplekse të thotë se udhëheqësit politikë të UÇK-së, dhe Hashim Thaçi mes tyre, me emër, janë “përgjegjës për vr asjen e 200 drejtuesve të LDK”. Natyrisht i ka 20- fishuar vrasjet e aktivistëve të LDK-së në Kosovë, por dhe këtë e ka bërë politikisht, për t’i dhënë të drejtë qëndrimit të tij politik kundër ish- udhëheqësve të UÇK-së. Arsyeja është se vajza dhe dhëndri i tij (jo ky dhëndri politik), janë formulues të akuzave në dosjen e Haradinajt dhe Limajt, dhe ai do që ta ketë të argumentuar edhe politikisht pse ata kanë vepruar drejt.

Ai po ashtu e përsëriti dhe këto ditë që akuza ndaj Hashim Thaçit është e drejtë, se janë eleminuar politikanë në Kosovë. Pra Berisha ka një qasje politike për të mbrojtur atë që ka bërë vajza e tij dhe dy dhëndurët, ai që ka në shtëpi dhe ky që ka fut dhëndër brenda në parti. Lulzim Basha nuk bën dot as atë që bën Sali Berisha, as atë që duhet të bënte si ish- nëpunës i rëndomtë i ekipeve faktmbledhëse që po përdoren kundër UÇK-së. Madje do të kishte dhe integritet personal, sikur të tregonte se ka parë dhe krime të UÇK-së, pasi ka plot politikanë që e kanë këtë guxim ta thonë.

Por ky qëndrimi i tij, as politik, as profesional, është shumë fyes për vetë Partinë Demokratike. Duke thënë që këto fushata, që e akuzojnë si fabrikues faktesh për UÇK-në, “nuk më dëmtojnë politikisht”, siç nuk e kanë dëmtuar dhe më parë, ai thjesht është duke fyer shqiptarët në Shqipëri, që sipas tij, nuk u plas shumë se çfarë u ka bërë ky kosovarëve. Kjo në fakt është gjëja politike më e keqe që mund të bëjë një politikan shqiptar. Edhe për kaq ja vlen fushata e socialistëve për ta kompleksuar si fabrikues faktesh për UÇK-në.