Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Materniteti i ri i Lezhës, që do të hapë dyert në pranverë është një zotim i mbajtur, pasi u premtua për dekada të tëra”.

“Maternitetet e reja janë një prej prioriteteve tona, që po jetësohen hap pas hapi, me punë të pandalur, përpjekje e durim, për t’i ndryshuar faqen shërbimit të nënave të reja që ishte një turp i madh për dekada”, tha Rama. Sot, tha Kryeministri, po transformohet në një shërbim shembullor, ku bashkë me ardhjen e fëmijës në jetë vjen në maternitet edhe Çeku i Bebes për çdo lindje, nga 40 mijë lekë të reja për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin e deri 120 mijë për të tretin e më tej”. Në një intervistë për ERTV-në, dr. Luljeta Delishi, shefe e Shërbimit Obstetrikë-Gjinekologji në Maternitetin e Lezhës tha se ky maternitet është ëndërruar prej 30 vitesh.

“Falënderojmë qeverinë që na realizoi këtë dëshirë të madhe për gratë e Lezhës dhe jo vetëm, por edhe të rajonit, gratë e zonës Nënshkodrës, Pukës, Rrëshenit, Laçit, Lezhës, deri afër Fushë-Krujës. Tani jemi në fazën e punimeve. Ndërtesa është 5-katëshe, kati i poshtëm është për mjetet mekanike për kaldajën e bibliotekën. Kati i parë është holli i pritjes së grave”, tha ajo. Dr. Delishi u shpreh se “ka filluar instalimi i sistemit të aspirimit e ventilimit. “Kapaciteti i maternitetit është 55 shtretër. Në katin e dytë ka 24 shtretër shtrimi si dhe ambiente në shërbim të pacientëve, si infermieria dhoma e kuzhinës”, tha ajo.

Dr. Delishi theksoi se “deri nga marsi-prilli 2021 mendohet të hyjmë brenda”. “Punohet me intensitet, çdo gjë është bërë në kohën dhe vendin e duhur. Gratë do të jenë shumë komode në këtë maternitet. Në dhoma kemi dy risi të reja, sistemi i oksigjenimit dhe sistemi i lajmërimit. Çdo krevat ka sinjalin e vetë përmes së cilit lajmërohet infermieria e turnit. Dhomat janë të pajisura me tualete me dushe. Në çdo dhomë dhe korridor ka sistem ngrohje, sepse mendohet edhe për bebet se janë jetët e dy vetëve, nënës dhe fëmijës. Në katin e 4 ka dy salla operacioni dhe dy salla lindje, si dhe salla e bebeve. Të gjitha janë të pajisura me teknologji të fjalës së fundit”, shtoi ajo. Dr. Delishi tha se pajisjet janë shumë moderne me oksigjenim, sistem ajrimi, sinjalizim, gjithçka moderne që nuk kanë ekzistuar në maternitetin e vjetër.

“Ka po ashtu dhomë të terapisë intensive për fëmijët me probleme, kemi inkubatorë, sistemin e oksigjenimit. Pavarësisht nga pandemia nuk ka ndaluar puna asnjë ditë. Materniteti është bashkëkohor. Falënderojmë Ministren që na ka qëndruar shumë pranë duke na sjellë edhe pajisje të tjera si mamografi, ekogroafi, reanimacionin modern”, tha ajo.