Politikat e qeverisë po mbështesin sipërmarrjet e reja në agroturizëm, të cilat janë bërë sot modelet më të mira ekonomike të çlodhjes e argëtimit, ku shërbehen ushqime bio, që kanë rritur numrin e të punësuarve dhe sigurohen të ardhura të konsiderueshme. Ministri Bledi Çuçi, solli në vëmendje disa fakte për agroturizmin në Shqipëri.

“Nga dy ferma turistike që kishte fillimisht sot numërohen mbi 100 të tilla në të gjithë vendin”, tha Çuçi. “Në vitin 2017 numëri i fermave agroturistike shkoi në 10. Në vitin 2018 u miratua kuadri rregullator për agroturizmin dhe një paketë e veçantë fiskale. U ul TVSH-ja nga 20% në 5%. U ul tatimfitimi nga 15% në 6% dhe ky sektor u përjashtua nga taksa e infrastrukturës. Ndërsa u adresua fondi 120 000 000 lekë nga Skema Kombëtare për sipërmarrjet në agroturizëm”, tha Çuçi.

Ministri tha se, gjatë vitit 2019 numri i fermave të certifikuara si agroturizëm u rrit në 17. “Veç mbështetjes me fonde nga Skema Kombëtare, prej dy vitesh kemi edhe një paketë të posaçme me lehtësi fiskale për ata që investojnë në agroturizëm, Zhvillimi i agroturizmit në Shqipëri është tashmë një realitet dhe një mundësi e re për të patur zhvillim të qëndrueshëm në zonat rurale”, u shpreh Çuçi.

Ministri informoi se së shpejti do të prezantohet një aplikacion dedikuar agroturizmit në vendin tonë. Sipas tij, një guidë online që mund ta ketë kushdo në celularin e tij dhe të orientohet se ku mund të shkojë e çfarë mund të bëjë në fermat tona turistike dhe itineraret e shumta në zonat rurale.