Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se në 16 nëntor do të çelet ankandi për ndërtimin e parkut energjetik në zonën e Spitallës. “Jemi të përgatitur të hapim ankandin në 16 nëntor në zonën e Spitallës që është e destinuar për të qenë një zonë ekonomike, dhe ndërtimi i një impianti 100 megavat, duke i dhënë mundësinë konkurrentëve për të treguar fuqinë e tyre dhe për t’i siguruar qeverisë shqiptare energji me çmim të ulët”, tha Balluku. Ministrja bëri të ditur se për ankandin e Spitallës do të zbatohen të njëjtat kritere si për atë të Karavastasë.
Deklarata e ministres Balluku u bë gjatë prezantimit të buxhetit dhe prioriteteve të institucionit që ajo drejton për vitin 2021. Balluku i kërkoi Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave një shtesë fondi prej 14.5 miliardë lekësh për vitin 2021 për të përmbushur objektivat kryesorë të saj që lidhen me mirëmbajtjen e rrugëve dhe mbylljen e projekteve që tashmë janë në proces. “Ky buxhet i akorduar për programin e transportit rrugor është 26.2 miliardë lekë, ndërsa nevoja është 60.5 miliardë lekë, pra vetëm 45% e nevojave është plotësuar”, tha ministrja.
Ndër prioritetet ministrja përmendi zgjerimin e rrjetit të rrugëve kombëtare nëpërmjet, ndërtimit, rehabilitimit dhe sistemimit të rrugëve kombëtare dhe përveç kësaj kalimin në praktikat e mirëmbajtjes së rrugëve bazuar në performance, zgjerimin e aksesit dhe cilësisë së shërbimit të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve përmes një portofoli të investimeve publike dhe përmirësimit rrënjësor të menaxhimit të shoqërive aksionere të ujësjellës kanalizimeve, duke standardizuar parimet e qeverisjes së sektorit Po ashtu prioritet mbetet rritja e eficiencës së energjisë kundrejt konsumit të përgjithshëm final të energjisë nëpërmjet shqyrtimit të programeve për promovimin e tregut, për futjen e teknologjive të përparuara si dhe rritjen e përdorimit të energjive të rinovueshme.