Trajneri i Kombëtares Edy Reja në prag të ndeshjes miqësore me Kosovën, që do të luhet të mërkurën në Elbasan Arena në orën 16:00, është shprehur se do të bëjë disa ndryshime në formacion. Italiani shprehet se për këtë sfidë do të ketë disa mungesa si Broja, Gjasula, Trashi, Lenjani dhe Kumbulla, por shton se pavarësisht çdo detaji përballja me Kosovën mbetet e veçantë.
“Do të jetë një ndeshje e ndjerë. E kam të qartë që tifozët e ndjejnë shumë. Unë do bëj disa eksperimente para dy ndeshjeve vendimtare. Shpresoj që lojtarët të jenë të motivuar, pasi më pas do kemi dy ndeshje vendimtare ku duhet të marrim gjashtë pikë. Unë besoj se mund të arrijmë akoma vendin e parë në grup,”-deklaroi Reja. Ndërkohë kapiteni Etrit Berisha u shpreh se përballja me Kosovën është speciale për të, ndërsa nuk la pa theksuar edhe njëherë rëndësinë e të qenurit një kombëtare së bashku me dardanët.
“Meqë është miqësore apo vëllazërore, do të jetë takim i qetë. Po të kishim luajtur për kualifikim, që besoj do ndodhë, për ne do të ishte e vështrië, sepse e di që është vendi im Kosova si dhe Shqipëria. Kam shkuar këtu me bindjën t’i përfaqësoj të gjithë shqiptarët. Ishalla bëhet një ekip kombëtar. Po të bëhëeshin një ekip, do të na kishte frikë e gjithë Europa. Jemi në një moment të vështirë, duhet ta luajmë këtë ndeshje si vëllazërore,”-u shpreh Berisha. Edhe te Kosova do të ketë mungesa të rëndësishme si Vedat Muriqi apo Milot Rashica, ndërsa para sfidës trajneri i dardanëve Bernard Shaland ka vlerësuar Shqipërinë, duke shtuar se është kundërshtari i duhur në këtë moment.
“Shqipëria ka lojtarë të mirë, që luajnë në liga të forta, ka ekip të mirë. Disa prej tyre nuk do të jenë prezentë në këtë takim, por mendoj se është një kundërshtar I duhur për momentin që po kalojmë,”-tha Shaland. Mbi të tjera të dy trajnerët janë shprehur se do kishte qenë mirë që kjo miqësore të mos zhvillohet, për shkak se përfaqësueset respektive më pas i presin dy ndeshje të rëndësishme në Ligën e Kombeve.