Italia është përfshirë këtë të premte nga një valë protestash dhe grevash, në kuadër të mobilizimit të përgjithshëm 24-orësh të thirrur nga sindikata USB (Unione Sindacale di Base). Në rrugët dhe sheshet kryesore të qyteteve janë organizuar marshime të punonjësve dhe studentëve, ndërsa në disa zona protestat kanë shoqëruar me tensione dhe akte simbolike kundër institucioneve dhe qeverisë.
Greva përfshin punonjësit e sektorit publik dhe privat, si dhe personelin shëndetësor, i cili ka ndërprerë punën që nga fillimi i turnit të mëngjesit deri në përfundimin e turnit të fundit të mbrëmjes. Megjithatë, shërbimet minimale shëndetësore dhe urgjencat janë garantuar.
Protestuesit kundërshtojnë rritjen e kostos së jetesës, kërkojnë përshtatjen e pagave me inflacionin dhe shprehin kundërshtimin ndaj shtimit të shpenzimeve ushtarake. Në mobilizim janë përfshirë edhe kolektive studentore nga shkollat e mesme dhe universitetet.
Në prag të protestës, ministri i Transportit, Matteo Salvini, urdhëroi shtyrjen e grevës në një datë tjetër, me argumentin se ndërprerja e shërbimeve do të përkonte me periudhën e përkujtimit të të vdekurve dhe festën e të Gjithë Shenjtorëve.
Vendimi u kundërshtua nga Unioni Sindikal i Bazës (USB), i cili e cilësoi atë të paligjshëm dhe konfirmoi zhvillimin e grevës për 24 orë.
Në Genova, protestuesit kanë bllokuar hyrjen e portit përmes vendosjes dhe djegies së gomave përpara hyrjes Albertazzi. Pamjet tregojnë flakët dhe tymin që kanë penguar qarkullimin në këtë pikë të rëndësishme të transportit detar.
Në Torino, dy bidonë me pleh organik janë përmbysur përpara ndërtesës së bashkisë, në sheshin Palazzo di Città, ku ishte parashikuar nisja e marshimit.
Protestuesit përdorën një gjuhë të ashpër kundër përpjekjeve për të ndaluar grevën, duke deklaruar: “Ata u përpoqën në çdo mënyrë ta bllokonin këtë grevë, por sot ky shesh, së bashku me dhjetëra të tjerë në Itali, ua kthen mbrapsht përpjekjet për të na shtypur. Të ardhmes së m… që duan të na japin, ne i përgjigjemi me më shumë m…”.









