Nga Prof. A. Miho, Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. e-mail:[email protected] Sot filtet shumë për të mësuarit nga larg (online) – çështje tepër e rëndësishme për kohën që po kalojmë! Lind natyrshëm për këdo ky shqetësim mbi këtë mënyrë të mësuari. Unë do të doja të ndaja me lexuesin disa mendime dhe këshilla se çfarë duhet të mbajmë parasysh dhe të përmirësojmë, jo vetëm për kohë pandemie, por edhe për më tej.Nuk ka aspak dyshim se mësimi në auditor është shumë, shumë herë më i dobishëm për të marrë dijen, se mënyra e zhvillimit online.
Kjo duke filluar që nga vetë leksioni, pa folur më për seminarin, laboratorin dhe praktikat. Mësimi në laborator dhe praktikat janë pa dyshim domosdoshmëri, sidomos kur është fjala për për shkencat e natyrës dhe të jetës (kimi, fizikë, gjeografi, gjeologji, biologji, mjekësi, agronomi etj.), dhe për më shumë për gjithë inxhinieritë. Vështirë se dija njerëzore do kishte arritur në këtë nivel ku është sot pa punë të madhe në laborator, pa eksperimente konkrete nga gjithë shkollarët në gjithë nivelet, dhe pa praktika të gjalla në terren, në klinika, në ndërmarrje, në fermë etj.Por mësimi online është një zgjedhje e sforcuar nga pandemia që po kalojmë, ku shëndeti i gjithësecilit merr rëndësi parësore. Pra ne jemi të detyruar të ndjekim një mënyrë të tillë të mësuari, për të kapërcyer këtë periudhë që nuk duket se ende ka një fund të afërt; rreth nesh kërcënimi i shëndetit është gjithnjë e më tepër real. Dhe shyqyr që është një mënyrë e tillë e zhvillimit të mësimit!
Shumë më mirë se mos zhvillimi fare! Këtë ne duhet ta kuptojmë mirë, nga personeli akademik, drejtuesit e institucioneve, sistemi arsimor në tërësi, por dhe nga vetë nxënësit dhe studentët, familjet e tyre, dhe nga gjithë shoqëria. Motua për secilin duhet të jetë: nuk duhet kurrësesi pandemia të lërë gjurmë të rënda në padijen (injorancën) tonë, qoftë të individit, por sidomos të gjithë shoqërisë në vend. Për mësimin cilësor online ka shumë rëndësi plotësimi i tre kushteve të rëndësishme: 1, Cilësia e zhvillimit të mësimit nga stafit mësimor; 2, Cilësia e komunikimit në distancë; 3, Dëshira dhe cilësia e pajisjes që përdoret nga studenti. Mendoj se të treja këto kanë nevojë të përmirësohen në Shqipëri. Konkretisht:1, Cilësia e mënyrës së zhvillimit të mësimit nga stafit mësimor vazhdon të mbetet tepër subjektive. Vlerësimi i cilësisë së mësimdhënies ka qënë mjaft i cunguar edhe më parë, në kushte normale, jo më sot. Në gjithë normat tona, qoftë ato që vendosen e rivendosen sa herë ndryshojnë qeveritë, qoftë në normat e brendshme, thuajse mungojnë kriteret për vlerësimin e performancës në mësimdhënie, dhe mbi të gjitha edhe për motivimin e më të mirit, si në mësimdhënie, në kërkim apo gjetkë. Pa dyshim që kjo pengon në përmirësimin e cilësisë, nuk nxit për më mirë. Shkolla jonë, dhe universiteti në veçanti, mbetemi larg vlerësimit efektiv të dëshirave që studentët kanë për shkollën e zgjedhur dhe shkallën e kënaqësisë së tyre për atë që shkolla realisht ofron; kjo edhe nga ata që përdorin dijen e tyre në praktikë (subjektet publike dhe private në vend).Por tërthorazi duhet kuptuar se jo gjithshka shkon vaj në kushte normale, jo më sot kur secili prej nesh e zhvillon mësimin nga hapësirat e banesës dhe jo nga auditori.
Kjo u kuptua dy vite më parë edhe nga shume ‘meme’ që studentët shfaqën për ditë me radhë gjatë protestës së tyre, por edhe nga reagime të tjera më të heshtura ose nga ndonjë pyetësor rastësor. P.sh. nga një pyetësor të tillë të zhvilluar me studentët e masterit të mësuesisë së biologjisë pak vite më parë u vu re përputhje jo e mirë mes dëshirave studentore dhe kënaqësisë së tyre për programin e studimit të zgjedhur. Në përgjithësi, shkalla e kënaqësisë ishte relativisht mesatare ose dhe e ulët: për kushtet laboratorike; për kompiuterat dhe internetin; për praktikat; për librat; për vlerësimin në provim; për kushtet e mësimdhënies dhe shërbimet që lidhen me të; etj. 2, Cilësia e komunikimit në distancë në Shqipëri mbetet ende një sfidë e pa arrirë aty ku duhet. P.sh. secili prej nesh si staf mësimor zhvillon mësim nga jashtë fakultetit, pra nga shtëpia; kjo sepse në këtë kohë interneti që ne përdorim në kabinetet tona të punës ose mungon, ose është shumë i dobët për mësimin si duhet online. Po ashtu nuk është kudo i lehtë komunikimi edhe në zonat kryesore urbane, jo më për atë që banon në zonat e thella të vendit. Për më tepër, tarifat e ofrimit të internetit mbeten gjithmonë të larta, pavarësisht se interneti është biznesi që nuk ka pësuar asnjë ndikim negativ nga pandemia, përkundrazi, kjo ka qënë një situatë e artë për ta.Këtu mbetet shumë për të bërë, sidomos nga gjetja e mënyrës prej secilit, për sigurimin e një linje të mirë interneti; familjet duhet ta kuptojnë mirë rëndësinë që ka kjo mënyrë e padukshme komunikimi, por edhe e kushtueshme për çudinë e shumëkujt. Edhe kompanitë përkatëse duhet të ndjejnë më shumë përgjëgjësi dhe detyrim për mbulimin sa më mirë të vendit. Por edhe ministria e arsimit mund të ndërhyjë dhe bëjë marrëveshje me këto kompani për oferta më të lira për nxënësit dhe studentët që do vazhdojnë të mësojnë në shtëpi. Në fund të fundit, karta e studentit që u dha me aq bujë, mund të vlejë edhe për këtë.3, Dëshira dhe cilësia e pajisjes që përdoret nga studenti, laptopi apo kompiuteri, ka rëndësi parësore sot. Në shtator ne patëm mundësinë me studentët e vitit të parë të shihnim njëri-tjetrin nga afër, edhe pse në një ‘look‘ të pazakontë, me fytyrën e mbuluar me maska. Nga bisedat kuptova edhe më mirë një fakt, të vërejtur edhe më parë nga punët dhe detyrat e dërguara.
Një pjesë e mirë e tyre ndjekin mësimin dhe bëjnë detyrat e kërkuara duke përdorur celularin – në mos qofsha i gabuar 6-7 në 10 studentë! Nuk e dimë sa do zgjasë kjo situatë, dhe ndoshta për vitin që vjen do të na duhet të kombinojmë mësimin online me auditorin, laboratorin dhe praktikën. Do ishte mirë të bënim një gjë të tillë për të ruajtur shëndetin, por edhe duke marrë dijen, si dhe sa duhet. Por mësimi në distancë nuk mund të pretendohet të kryhet kurrësesi nëpërmjet celularit. Është thjesht të gënjesh veten ku thua se po ndjek një leksion online me një celular. Dhe është sfilitje të pretendosh të bësh një detyrë me celular! Formalisht edhe mund të jesh i pranishëm në një klasë virtuale; por kjo ka pak rëndësi! Ajo që ka rëndësi është se dija nuk mundet të merret nga një monitor që nuk i kalon të 70 cm2. Si mundet të shohësh në kaq hapësirë një qelizë bimore me gjithë pjesët e saj; apo një skemë të ndërlikuar me shkrimet brenda!? Jo më të mundësh të bësh një detyrë si duhet!Celulari është një shpikje e mirë e ditëve tona. Me të mund të komunikosh shpejt e mirë, me zë dhe me figurë, me këdo në çdo cep të globit. Mund të gjesh një informacion, shpejt e saktë, kudo që të ndodhet. Mund të shtysh kohën me muhabet, hidh e prit, me të afërm, shokë e miq, kudo që ata ndodhen. Por të ndjekësh mësimin dhe bësh detyrat përbën një sakrificë dhe një humbje në kohë për atë që do vërtet të mësojë. Në kushte të tilla sot, por edhe më tej në kushte normale, mendoj se secili student duhet të bëjë ç’është e mundur të sigurojë një laptop, dhe gjithmonë edhe librin. Ekrani i një laptopi fillon nga 400 cm2; po kaq është edhe faqja e librit tonë të botanikës. Për më tepër, celularët që unë shoh sot rëndom në duart e studentëve kushtojnë thuajse dyfishin e një laptopi normal në treg; dhe një libër kushton rreth 6 herë më lirë se edhe një laptop.
Pra ne edhe në këtë drejtim kemi nevojë të kuptojmë se ‘jemi të shtrenjtë në krunde dhe të lirë në miell’, ashtu si dhe gjetkë ne shqiptarët! Ndër të tjera, në këto vite unë konstatoj se është ulur shumë numri i studentëve që përdorin tekstet tona mësimore, dhe dëshira për të lexuar. Si mundet të merret dija, aftësitë profesionale, vetëm nga një e parë, apo dëgjuar online, ose dhe ne auditor, sado i përkryer të jetë zhvillimi i mësimit nga pedagogu! Ka shumë arsye për këtë, dhe diskutimi mund të jetë i gjatë: duke filluar nga atmosfera gjithmonë konfliktuale, aspak premtuese në vend; por dhe nga mungesa e dëshirës për shkollim në përgjithësi nga të rinjtë; lëshimi i dorës në notë nga mësuesit dhe pedagogët; nga prania e mbi 40 IAL-ve publike dhe 26 private që ‘kacafyten’ me njëri-tjetrin për një student më shumë; nga varfëria dhe vështirësitë ekonmike; etj. Me këtë rast dua të shtoj edhe diçka më shumë lidhur me kombinimin e mësimit online me atë në auditor. Në shtator na u krijua mundësia të zhvillonim plotësime në auditor për dy javë. Ishte një mënyrë për të dhënë diçka më shumë se ajo që punuam për muaj të tërë të larguar nga njëri-tjetri. Secili prej studentëve mundi të asistojë në 2 orë të ndara laboratori, nga rreth 40 orë që ne zhvillojmë në kushte normale, dhe vetëm 1 ditë praktikë në Kopshtin Botanik, nga 4-5 ditë me dalje në grup jashtë Tirane në kushte normale. Edhe kaq, në kushtet e sotme ishte një sfidë qoftë për studentët, por më shumë për ne pedagogët! Duhet të punonim me grupe të vogla për arsye sigurie, nga ora 8 e mëngjezit deri në 5 pasdite për thuajse 2 javë.
Megjithatë ne mbetëm të befasuar dhe tepër të kënaqur nga puna e bërë nga shumë prej studentëve, edhe pse në kushte izolimi dhe gjendje të rënduar. Disa nga Herbaret që pamë ishin edhe më të mira nga ato që studentët tanë kanë përgatitur në kohë normale. Kjo na jep kënaqësi, por mbi të gjitha shumë besim dhe shpresë! Do të thotë se kur është dëshira e fortë, asnjë lloj pengese e çdo natyre qoftë nuk mund të ndalojë këdo për të marrë dijen, për t’u formuar si profesionist. E kam përsëritur vazhdimisht me studentët, se Covid shpejt a vonë do kalojë dhe do harrohet, por kjo situatë nuk duhet kurrësesi të lërë gjurmë në përgatitjen e tyre; çdo lloj mungese në dije trashëgohet gjatë, gjatë gjithë jetës, me pasoja jo vetëm për personin dhe familjen e tij, por për gjithë shoqërinë. Këshilloj fort nxënësit dhe studentët, por dhe familjet e tyre, se në një situatë të tillë ka shumë rëndësi puna e pavarur. Dhe për këtë, për secilin prej nesh ka kohë plot, sidomos në këtë kohë pandemie. Përvoja e provimeve që kaluam, tregoi se ishte një pjesë jo e vogël e studentëve që nuk e kishin lënë kohën të shkonte kot, e kishin shfrytëzuar kohën si duhet, duke STUDIUAR dhe PUNUAR NË MËNYRË INDIVIDUALE, pavarësisht nga vështirësitë dhe stresi i kësaj periudhe; duhet ta pohoj se këta studentë nuk ishin vetëm në Tiranë, por disa prej tyre në zona vërtet të thella të vendit. Pra kush e do vërtet dijen, e bën natën ditë! Po e mbyll këtu duke uruar për të gjithë shëndet në radhë të parë! Dhe ‘punë, punë, natë e ditë që të shohim pakëz dritë’ – është më se aktuale sot thënia e të madhit Naim!