Ilir Meta i ftuar në forumin “Biseda për tranzicionin” ka zbuluar detaje nga e shkuara e tij dhe hapat e parë në politikë. Meta thotë se qëllimi i tij ishte të ecte më tej me formimin si ekonomist, akademik dhe madje pas ’92 bëri përpjekje për t’u shkëputur nga politika. Ai vetë thekson se në PS u kishte thënë se do largohej për të vijuar shkollën, por me humor më pas tha se ‘’kur hyn në valle, s’del dot’’.
“Më ’93, ishte populli i Skraparit i vetmi që votoi majtas. Më ndihmoi të bëhem më popullor, dhe më pas me burgosjen e Fatos Nanos, u bëra nënkryetar i PS, kjo më dha më shumë fizibilitet, dhe mundësi për të qenë më aktiv. Ajo që dua të bëj me dije, s’kam pasur ndërmend të bëhem politikan apo president. Qëllimi im ishte të ecja më tej me formimin si ekonomist, formimin akademik madje edhe një përpjekje pas ’92, kur u bëra dhe deputeti më i ri, bëra përpjekje për t’u larguar. Dhe kjo ishte kontrata ime me PS pasi nuk pranonte njeri të kandidonte aty. Kisha qëllim të bëja shkollën, por kur hyn në valle s’del dot më. Dhe ja ku jemi”, tha Meta.