Zëri zyrtar i Ilir Metës dhe LSI-së, me anë të një shkrimi me titull “Aleatët e Lulzim Bashës: PD brenda muajit nëntor të vendosë për koalicionin ose secili në punë të tij”, i kujton këtij të fundit rrugën që duhet të ndjekë. Në shkrim aludohet se Basha mund të bashkëpunojë me Ramën, ndaj dhe nuk i ka mbledhur aleatët e vet.
“Mazhoranca dhe Edi Rama, si shef i saj, e kanë filluar fushatën elektorale. Ndërkohë partitë e opozitës jashtë parlamentare akoma nuk janë të qartë se si do shkojnë në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Kryetari i PD-së Lulzim Basha nuk ka mbledhur aleatët kryesorë se si do rreshtohen përballë kryeministrit Edi Rama. Monika Kryemadhi dhe LSI vazhdojnë përditë takimet elektorale në çdo rreth, sepse nuk mund të rrijnë të presin se si do vendoset kur përballë kanë një Qeveri e cila synon të vjedhë prapë zgjedhjet me makinacione të gjithëfarëllojshme që nga prekja e Kushtetutës, të Kodi Zgjedhor, te ligji për “gjendjen civile”, etj.
Fatmir Mediu (PR), Nard Ndoka (PDK), Agron Duka (PAA) dhe Dashamir Shehu (LZHK) u shprehën këtë të martë në TCH se do presin deri në fund t muajit nentor dhe më pas do shikojnë sejcili llogaritë e partive të tyre. Ata insistuan se duhet që PD dhe Lulzim Basha të vendosin bashkërisht formulën e paraqitjes në zgjedhje kundrejt Edi Ramës dhe PS. Fatmir Mediu ishte më i ashpër me Lulzim Bashën, kur pohoi se kjo situatë kur opozita nuk ka vendosur për koalicionin shkon në favor të Edi Ramës. Ndaj ai bëri thirrjen publike Bashës që brenda muajit nentor të thërrasë gjithë partitë e koalicionit opozitar jashtë parlamentar se si do jetë bashkëpunimi electoral. Në të vërtetë kur shikon PS dhe kryeministrin Rama në fushatë, ndonëse sondazhet i nxjerrin humbës, të krijohet një pikëpyetje e madhe pse PD nuk po vendos akoma mënyrën e bashkëpunimit me partitë e tjera”, shkruan gazeta e Nikoll Lesit.