2 terapi mjekimi, rimbursimi deri në 10 900 lekë/person. Fondi 1.2 miliard leke.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka deklaruar se qeveria shqiptare ka marrë vendimin për rimbursimin 100% të trajtimit ambulator në banesë për pacientët e prekur nga nga Sars Cov2. Manastirliu theksoi se nga kjo skemë do tê përfitojnë qytetarët të cilët ndiqen nga mjekët e familjes, për trajtimin e simptomave të lehta dhe të moderuara pavarësisht nëse janë të siguruar ose jo.

“Do të rimbursojmë dy forma të trajtimit të mjekimit, format e lehta dhe të moderuara. Qeveria shqiptare ka marrë këtë vendim për të gjithë popullatën qoftë nëse janë të siguruar qoftë nëse nuk janë të siguruar. Jam mjekët ata që do të përcaktojnë rimbursimin. Mjeku i familjes ka një Udhëzues me terapi të përcaktuara”, tha Manastirliu.

Në AbcNews, Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se qeveria shqiptare ka financuar 1.2 miliard lekë për rimbursimin e trajtimit ambulator. Paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me Covid-19 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes, sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe do të financohet 100% nga shteti.