Agresiviteti i koronavirusit mbetet i lartë, njësoj si në muajin e parë të pandemisë. Ky pohim vjen nga mjekja shqiptare në Itali, Brunilda Marku.

Përmes një lidhjeje direkte me emsionin “Java në RTSH”, Marku tha se edhe në shtetin fqinj po hasen vështirësi sa i përket kapaciteteve spitalore.

“Sa i përket virulencës, virusi mbetet agresiv siç ka qenë në mars. Rastet madje po rriten shumë më tepër sesa në fillim të pandemisë. Unë punoj në terapitë intensive respiratore. Ne kemi pasur mbështetje të madhe, por kemi ende nevojë për aparatura dhe shtretër apo personel sanitar.

Megjithatë ne përpiqemi të bëjmë më të mirën për pacientët. Shpesh herë janë pikërisht terapitë intensive që parandalojnë edhe shtrimin në reanimacion. Gjëja e parë që qytetari duhet të bëjë kur ka simptomat e Covidit, duhet të kontaktojë mjekun e familjes.

Më pas ky i fundit e orienton për hapat e tjerë” – tha mjekja Brunilda Marku.

Ndërkohë, e ftuar në studion e “Java në RTSH”, mjekja e Klinikës Nr.1, Anila Rexha apeli që qytetarët që shfaqin simptoma të kontaktojnë fillimisht mjekun e familjes. Rexha shpjegoi rolin e këtij të fundit dhe hapat që ndërmerren më pas.

“Vetë koncepti i mjekut të familjes është i tillë që njeh historikun dhe ka kartelat individuale të një familje të tërë. Në këto kushte është ai që duhet informuar i pari. Kolegët e mi kanë një dosje me pacientët që janë në komunikim nga mëngjesi në mbrëmje.

Pasi merr telefonatën, mjeku i familjes liston të dhënat e pacientit dhe raporton në kohë reale pacientin që t’i kryhet tamponi. Por mjeku ndryshe e vlerëson pacientin që e njeh prej kohësh në rastet kur ka sëmundje kronike.

Dhe ndryshe një pacient të ri në moshë, që nuk ka pasur njohje më herët apo kontakt të shpeshtë. Shumica e këtyre raportimeve për momentin i përkasin Covidit” – tha mjekja Anila Rexha në studion e “Java në RTSH”.