Kosova nis prej ditës së sotme testimet e shpejta kundër koronavirusit. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Shëndetësisë, e cila njofton se ministri Armend Zemaj ka lejuar sot testet e shpejta në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
Njoftimi i plotë: MSh lejon testimet diagnostike të shpejta për detektimin e antigjeneve të SARS COV 2 në Kujdesin Parësor Shëndetësor Prishtinë, 20 nëntor 2020 Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj nënshkroi sot plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ nr. 04/2020-Kujdesi Parësor Shëndetësor, me të cilin përcaktohen institucionet publike të KPSh, standardet e organizimit, funksionimi, veprimtaritë, shërbimet shëndetësore si dhe kuadrot profesionale për ofrimin e shërbimeve shëndetësore në KPSh, si pjesë e sistemit unik shëndetësor në Republikën e Kosovës.
E veçanta e këtij udhëzimi është se më këtë plotësim ndryshim, institucioneve shëndetësore publike të Kujdesit Parësor Shëndetësor, në kuadër të shërbimeve laboratorike u mundësohet kryerja e testeve diagnostike rapide (të shpejta) për detektimin e antigjenit për SARS COV-2. (diagnostikimin e COVID-19). Kjo nënkupton se krahas testimeve serologjike për praninë e IgG dhe IgM, të cilat janë lejuar më herët në institucionet publike të KPSh-së, tash e tutje mund të kryhen edhe testet diagnostike rapide të antigjenit SAR COV.