Nga Enver Robelli
Donald T. thotë: votat që kam marrë unë janë «legale», votat që ka marrë Joe Biden janë «ilegale». Kaq e thjeshtë është puna. Kështu nuk argumenton ndonjë president i një republike bananesh, por presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Donald T. godet mediat, të cilat në bazë të projeksioneve e shpallën Bidenin të zgjedhur si president. Donald T. më 2016 nuk kishte asgjë kundër kur mediat e shpallën fitues. Atëherë gajasej nga gëzimi. Sot bërtet nga hidhërimi.
Pasionet e Donald T. janë: Twitteri, loja e golfit dhe teoritë e komplotit. Deri më tani Donald T. teoritë e komplotit i shumëzonte falë televizionit propagandistik «Fox News». Pas zgjedhjeve dhe duke e parë se Donald T. ka humbur, «Fox News» vendosi të merret me gazetari.
Kjo e zemëroi Donald T. «E kanë harruar ata patën e artë», tha T. Në shqip i bie mbase kështu: «Fox News» e ka harruar lopën që qet tambël. Por krahasimi me patën e artë përshtatet më mirë nëse marrim parasysh dominimin e ngjyrës së portokalltë në kokën e Donald T. Pata e pjekur merr një ngjyrë të portokalltë. Ose disi të përafërt. Një bojë donaldiane.
Donald T. beson ende se ai është fituesi i zgjedhjeve. Por shyqyr që është këndej Christopher Krebs. Ai është shef i Cybersecurity and Infrastructure Security Agency (CISA), pra homolog i Zafir Berishës (nejse, ky humor ishte i pashmangshëm), pra zoti Krebs është si të thuash përgjegjës për integritetin e zgjedhjeve. Këtë javë Krebs lëshoi një komunikatë në të cilën thuhej se zgjedhjet e 3 nëntorit kanë qenë «më të sigurtat në historinë e Amerikës.
Nuk ka dëshmi se ndonjë sistem zgjedhor i ka shlyer, humbur, ndryshuar apo deformuar votat». Donald T. prapë do të vazhdojë ta keqpërdorë Twitterin për të thënë se ia kanë vjedhur fitoren. Dhe Twitteri në çdo Tweet të tij do të ndërhyjë duke thënë: mos i besoni – përveçse kur shkruan për golf.
Ndërkohë – çdo ditë në SHBA zbulohen 150 mijë të infektuar me koronavirus. Çdo ditë vdesin nga 1000 veta. Dhe i barrikaduari në Shtëpinë e Bardhë thoshte: pini detergjent se ju kalon. Tani që u dha haberi se së shpejti mund të ketë një vaksinë kundër virusit, Donald T. është i bindur se ka pasur një komplot kundër tij: për ta dëmtuar në zgjedhje lajmi nuk u bë publik para zgjedhjeve në SHBA. Presidenti Donald T. pret që edhe shkenca t’i nënshtrohet agjendës së tij elektorale.
Ndërkohë – Donald T. ka nisur një fushatë spastrimi në Pentagon. Ministrin Mark Esper e dëboi nga puna me një fjali brutale: «Mark Esper has been terminated». Në postin e sekretarit të shtetit në Pentagon Donald T. emëroi një oficer që presidentin Barack Obama e pati quajtur «udhëheqës të terroristëve», pra në një kabinet me Osama Bin Ladenin, Abu Bark al-Bagdadin etj.
Nuk është risi, por pas zgjedhjeve amerikane po shihet edhe më qartë një tipar brutal i Donald T: ai i vlerëson vetëm instrumentet e demokracisë (për shembull: ardhjen në pushtet), por jo edhe vlerat e demokracisë. E vlerë e lartë demokratike është të pranosh humbjen. Diçka e tillë në universin e Donald T. nuk ekziston.
Zjarri që ka ndezur Donald T. djeg dhe shkatërron, por nuk ngroh. Publicisti Jonathan Chait shkruan në «New York Magazine»: «Nuk duhet patjetër një lëvizje plotësisht e zhvilluar fashiste për ta shembur republikën. Gjithçka çfarë duhet është një kriminel i vetëm i vendosur në një vend me ndikim».
Joe Biden e quajti «të turpshëm» refuzimin e Donald T. për të pranuar humbjen dhe tiradat e tij të përditshme në Twitter se ai është fituesi, por zgjedhjet i janë vjedhur. Faktet janë këto: gati 78 milionë amerikanë kanë votuar për Joe Bidenin. Pra, 12 milionë më shumë se për Hillary Clintonin më 2016. Për Donald T. votuan 72,6 milionë amerikanë, pra 10 milionë më shumë se më 2016. Donald T. e ka një meritë: me gjuhën e tij polarizuese, me talentin e tij për shou, me stilin e luftëtarit që nuk dorëzohet, ai ka arritur të politizojë e mobilizojë miliona amerikanë.
Me gjithë pandeminë ata votuan – si kurrë më parë votuan me postë, por më 3 nëntor dolën edhe në vendvotime. Sipas një analize të gazetës gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» prej 3141 qarqeve (Counties) në SHBA, Bideni i ka fituar 550, ndërsa Donald T. 2600 qarqe. Në 550 qarqet ku fitoi Bideni jeton pjesa më e madhe e amerikanëve. Bëhet fjalë kryesisht për qytete të mëdha dhe rrethinat e tyre.
Në këto pjesë jetojnë shumë zezakë e hispanikë, por edhe liberalët, të majtit, studentët, të shqetësuarit për ndryshimet klimatike. Vetëm pak qarqe kanë ndryshuar preferencat politike në krahasim me vitin 2016. Çka ka ndryshuar është kjo: në qendrat urbane aktivistet dhe aktivistët demokratë kanë arritur të mobilizojnë miliona njerëz për të marrë pjesë në zgjedhje. Edhe kësaj here u dëshmua ajo maksima e vjetër: çdo votë është vendimtare.