Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca thotë se Shqipëria ka vijuar të bëjë përparim dhe Marsin e kaluar bëri një hap të madh më pranë BE-së, kur Këshilli Europian vendosi të hapë negociatat e pranimit. Sipas Soreca-s tani Shqipëria është afër përmbushjes së kushteve të kërkuara.

“Në këtë moment kritik, të gjitha palët politike duhet të investojnë në ndërtimin e konsensusit të nevojshëm politik dhe të gjitha institucionet e pavarura duhet të japin rezultatet e nevojshme, për të ndjekur objektivin e përgjithshëm që ata të gjithë ndajnë, integrimin e Shqipërisë në BE”, shkruan Soreca në Twitter, duke shtuar se kjo është ajo çfarë duan më shumë se 90% e popullit shqiptar.