Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, deklaroi sot se “nga viti 2021 çmimi i naftës përgjysmohet për çdo fermer që ka një NIPT”. “Nga viti 2021 subvencionimi i çmimit të naftës do të jetë -67 lekë/litër për çdo fermer që është i pajisur me NIPT”, – tha Denaj. Duke nisur nga 1 janari 2021 të gjithë fermerët që përdorin mjete të motorizuara për të punuar tokën do të përfitojnë nga programi më i ri shtetëror, ai i naftës falas.

Programi funksionon me një mesatare të përllogaritur të konsumit të traktorit dhe mjeteve të tjera të rënda për punimin e një hektari tokë sipas secilës kulturë të mbjellë. Në sasinë e konsumuar, shteti lehtëson për fermerët barrën e akcizës, taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit, një lehtësim prej pothuajse 70 lekësh për litër.
Diferenca e nxjerrë nga çmimi i tregut dhe zerimi i taksës shkon për fermerin e gjitha si naftë falas, në një kartë të posaçme me të cilën do të pajisen të gjithë të interesuarit.

Karta do të jetë e vlefshme në të gjithë apo në një pjesë të pikave të karburantit (mbetet për t’u përcaktuar), ku fermerët do të munden të tërheqin në moment sasinë e tyre të naftës falas. Fillimisht, të regjistrueshëm në këtë program do të jenë rreth 47 mijë fermerë që janë të pajisur me NIPT. Të gjithë të interesuarit e tjerë përfitojnë duke krijuar edhe ata një NIPT. Sa i përket aplikimit ai do të jetë falas dhe në kohë reale përmes një formulari që plotësohet elektronikisht në e-Albania.
Për vitin e parë, në total ky program do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 10 milionë dollarë.