Veliaj: “Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë e nuk lejojmë politikën të na bëjë mish për top, bëjmë gjëra të mrekullueshme”. Rindërtimi nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit nuk përfshin vetëm shtëpi e shkolla të reja, por edhe konviktet e studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të cilat sot nisën nga puna për t’u rindërtuar më të fortë e me kushte më të mira. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe deputetin e PS, Ulsi Manja inspektuan kantierin që krijon një mundësi të re për akomodimin e 2200 studentëve në 8 godina sipas standardeve evropiane.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se procesi i rindërtimit provon më së miri faktin se kur shqiptarët bëhen bashkë, bëjnë gjëra të mrekullueshme. “Një kantier që na kujton pse merremi me politikën, se sigurisht që sot është një vit nga tërmeti e mund të bënim vajtuesin, por ky nuk është roli ynë. Patjetër duhet të kujtojmë me respekt të gjithë atë tragjedi, por ama misioni ynë është më i madh se kaq, është të ndërtojmë shtëpi, shkolla, universitete. Nuk besoj se ka një komb tjetër që është ngritur aq shpejt sa ne shqiptarët, mbas një tragjedie të tillë. Ky proces i rindërtimit provon forcën tonë. Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, nuk përçahemi, nuk lejojmë politikën të na bëjë mish për top, bëjmë gjëra të mrekullueshme dhe besoj që diçka e tillë do jetë edhe mrekullia që po ndodh në Institutin Bujqësor”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se ndryshe nga forca tjetër që përdor politikën përçarëse, fokusi i kësaj mazhorance është puna. “Është shumë kollaj të thuash pse s’u bë kjo, pse s’u bë ajo, por të ankohesh kur vetë ke bërë 4 vila, kur s’ke dhënë një shtëpi për familjet e prekura, besoj që është një rrënim moral. Me politikën përçarëse sundon, kur nuk na përçau tërmeti dhe u ngritëm më të fortë, sigurisht që nuk na përçajnë llogjet e ditës dhe kukuvajkat, që sa herë shohin një mundësi për të shqyer miletin, nuk e lënë pa e shfrytëzuar. Unë besoj që puna do flasë, ky kantier flet sot”, deklaroi Veliaj.
Kreui i Bashkisë shtoi se për herë të parë ne mund të themi që po rilind edhe zona e Institutit Bujqësor, duke filluar nga çerdhet. “Bëhet fjalë për një komunitet që nuk kishte as çerdhe, as kopshte, as 9-vjeçare, as gjimnaz e as universitet sepse ishte zaptuar. Për herë të parë mund të themi që kush banon në Institutin Bujqësor, nga mosha 2 vjeç deri në moshën 22 vjeç, do i ketë të gjitha në lagjen e tij. Pra nga çerdhja, deri te diploma e universitetit dhe master e doktoraturë po të dojë. Besoj që partneriteti që kemi gjetur me rektorin e ri, na ndihmon jashtë mase. Ndërtesat janë bërë më të mëdha, pikërisht për të akomoduar jo vetëm ambientet e strehimit për studentët, por edhe pjesën studimore, bibliotekë, laborator, ndoshta disa klasa, qendër rinore, qendër këshillimi, sepse vetëm atëherë mund të themi që jetojmë në komunitet”, theksoi Veliaj.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi, shprehu vlerësimin e saj ndaj punës cilësore së bërë deri tani nga ana e Bashkisë së Tiranës e jo vetëm. Sipas saj, projekti i kampusit universitar është arritje e rëndësishme, jo vetëm në kuadër të procesit rindërtimit, por gjithashtu edhe një vlerë e shtuar e “Paktit të Universitetit”, si një projekt multifunksional në shërbim të studentëve të Universitet Bujqësor të Tiranës. Ndërkaq, studentet që kanë banuar në këto ndërtesa janë trajtuar nga Bashkia e Tiranës me bonus qiraje, ndërsa familjet që kishin uzurpuar disa nga godinat studentore do të trajtohen me politika strehimi.