Tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar duket se nuk ka sjellë një ndërgjegjësim të kompanive e individëve për të bërë sigurimin nga zjarri dhe dëmtimet në pronë.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë një rritje të lehtë të numrit të kontratave në portofolin “sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës” me vetëm 3.3%, gjatë 10 mujorit të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas raportit të publikuar nga Autoriteti I Mbikëqyrjes Financiare (AMF), primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-tetor 2020 arritën rreth 4,986 milionë lekë, 3.86% më pak se në periudhën janar-tetor 2019. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 42.01% krahasuar me periudhën janar-tetor 2019.

“Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-tetor 2020, vihet re një rritje prej 18.77% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.33% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-tetor 2019”, thuhet në raport.

Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-tetor 2020, patën ulje me 1.73% kundrejt periudhës janar-tetor 2019.

Në portofolat e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-tetor 2020 siguruan mbi 2,380 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 60.76%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësisë së përgjithshme me 30.24% të totalit.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-tetor 2020, arritën në rreth 897 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 11.68% në krahasim me periudhën janar-tetor 2019.

Primet nga sigurimet e jetës gjatë periudhës janar-tetor 2020, arritën rreth 921 milionë lekë, ose 6.68% më pak se në periudhën janar-tetor 2019.