Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Dr. Hans Kluge, tha se Evropa dhe SHBA-ja vazhdojnë të jenë epiqendra e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe se në kontinentin evropian virusi merr jetën e një personi në çdo 17 sekonda. Në një konferencë për shtyp nëpërmjet videokonferencës, Kluge tha se 28 për qind e të gjitha rasteve me COVID-19 janë shënuar në kontinentin e Evropës. Sistemet shëndetësore të vendeve janë mbingarkuar për shkak të pandemisë, njoftoi Kluge, duke nënvizuar që nuk do të jetë e nevojshme mbyllja në rast se rritet në 95 për qind përdorimi i maskës i cili aktualisht në Evropë është ende 60 për qind. Më tej Kluge tha se njësitë e kujdesit intensiv në Francë janë mbushur 95 për qind, ndërsa në Zvicër janë mbushur plotësisht.
“Vaksinat nuk do të mund të ndalojnë plotësisht COVID-19” Pasi tërhoqi vëmendjen se faza e fundit e arritur në punimet e vaksinës në botë janë shpresuese, Kluge tha: “Kemi marrë lajme të mira, veçanërisht në ditët e fundit me dy vaksina që premtojnë shpresë. Vaksinat nuk do të mund të ndalojnë plotësisht COVID-19 dhe pavarësisht se nuk do t’i përgjigjet të gjitha pyetjeve tona, ato përfaqësojnë një shpresë të madhe në luftën kundër këtij virusi”.
Më tej Kluge shtoi se në mënyrë që vaksinat të jenë të suksesshme, ato duhet të shpërndahen në mënyrë të barabartë në të gjitha vendet. Kluge ndau informacionin se vaksina “Sputnik V” e zhvilluar nga Rusia ka filluar të dërgohet në disa vende, përfshirë edhe Hungarinë, dhe se vendimin e fundit në çështjen e vaksinave e japin autoritetet rregullatore për vaksinat dhe ilaçet të vendeve.
“Në Evropë çdo ditë nga COVID-19 humbin jetën mesatarisht 4.500 persona” Kluge tha se Evropa dhe SHBA-ja vazhdojnë të jenë epiqendra e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe se 26 për qind e vdekjeve në gjithë botën për shkak të virusit ndodhin në Evropë.
“Në dy javët e fundit vdekjet nga COVID-19 janë rritur me 18 për qind. Javën e kaluar për shkak të COVID-19 në Evropë humbën jetën mbi 29 mijë persona. Pra, në rajonin evropian humb jetën një person në çdo 17 sekonda”, theksoi Kluge. Gjatë ditëve të fundit në Evropë humbin jetën mesatarisht 4.500 persona dhe se me më shumë përpjekje këto shifra mund të ulen, njoftoi Kluge. Kluge vuri theksin se nga 2 milionë, numri i rasteve me COVID-19 ra në 1,8 milion javën e kaluar pasi vendet në Evropë rivendosën në zbatim masat për karantinë të pjesshme ose të plotë.
“Ky është një sinjal i vogël, por prap ai është një sinjal”, vlerësoi më tej Kluge. Duke rikujtuar se në Evropë qindra miliona njerëz jetojnë ende nën kufizime të ndryshme, Kluge theksoi se si rezultat i kësaj janë shfaqur efekte anësore të tilla si rritje e problemeve të shëndetit mendor, rritje e varësisë nga alkooli dhe substancat, dhuna me bazë gjinore, humbja e punës dhe ndërprerje e shërbimeve themelore të shëndetit.