Paketa e medikamenteve për kurimin e koronavirusit do të rimbursohet nga shteti. Në mbledhjen e së mërkurës, Këshilli i Ministrave vendosi që ky trajtim do të përfitohet nga e gjithë popullata, ndërsa ngarkoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin e Sigurimeve për ta zbatuar menjëherë. Po sipas vendimit, medikamentet falas do t’i marrin vetëm personat që janë konfirmuar zyrtarisht pozitivë dhe që e kalojnë sëmundjen në kushtet e shtëpisë. Mjekët e familjes tregojnë se çfarë barnash përfitojnë falas pacientët që e kalojnë koronavirusin në fazën e lehtë dhe atë të mesme: “Do të jenë medikamentet e vitaminoterapisë dhe antibiotiku azitromicinë. Ata që kanë nevojë për oksigjen, duhet të shtrohen në spital. Nuk rekomandohet përdorimi i oksigjenit në shtëpi”.
Ende nuk dihet nëse nga rimbursimi i medikamenteve anti-covid do të përfitojnë edhe pacientët që janë konfirmuar pozitivë në laboratorët privatë. Ndërkohë që, në Institutin e Shëndetit Publik vonesat për marrjen e përgjigjes së tamponit shkojnë mbi 10 ditë, kohë që pacienti mund të shërohet apo të rëndohet më tepër dhe nuk mund ta ketë të nevojshme për medikamentet e rimbursuara. Ministria e Shëndetësisë nuk ka deklaruar se sa është fondi që nevojitet për të mbuluar paketën e barnave anti-covid deri në janar, kur nis zbatimi i buxhetit të ri.