Deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli e cilësoi buxhetin e shtetit për vitin 2021, si buxhetin antikrizë, pasi siç tha ai “sot e gjithë bota ndodhet në një krizë humane për shkak të pandemisë Covid-19 që ka reflektuar shumë në një krizë sociale dhe ekonomike në të gjitha shtetet ndaj edhe vendet e BE-së që janë duke miratuar buxhetet e tyre, po fokusojnë politikat e tyre buxhetore, në luftën kundër pandemisë dhe për rigjallërimin e ekonomisë”.
“Edhe Shqipëria u godit nga pandemia, u godit ekonomikisht në mënyrë të dyfishtë nga tërmeti i 26 nëntorit 2029 dhe njëherazi nga pandemia dhe mbyllja ekonomike, gjë që e bëri që ekonomia shqiptare këtë vit të tkurret e 6.1%. Në këtë kontekst të gjitha masat dhe politikat buxhetore që duhet të marrim duhet t’i marrim në funksion të shërimit të ekonomisë dhe të rigjallërimit. Ky është një buxhet, antikrizë, antipandemi, antirecesion ekonomik dhe një buxhet për rigjallërimin e ekonomisë”, – tha Angjeli gjatë një interviste televizive.
Ai tha se, janë mbi 30 Akte Normative që prej muajit mars 2020 që ka ndërmarrë qeveria në funksion të luftës kundër Covid-19 dhe për të përballuar pasojat ekonomike të saj.
Qeveria vjen me një paketë të plotë në mbështetje të shëndetësisë dhe shëndetit të qytetarëve.
“Në buxhetin 2021 janë 16,6 miliardë lekë më shumë se vitin e kaluar ose 23.3% që është buxheti më i madh i dhënë ndonjëherë për shëndetësinë dhe ky buxhet ka disa elementë të rëndësishëm që përbëjnë të gjithë paketën. Ka rritjen me 2.4 miliardë lekë në krahasim me vitin 2020 për infrastrukturën shëndetësore. Ka 4.5 miliardë lekë që rritin pagat me 40% për të gjithë punonjësit e shëndetësisë, 6 miliardë lekë do të shkojnë për medikamentet përfshi edhe 1.5 miliardë lekë që u paguan paradhënie për tu garantuar 1.4 milionë vaksina për qytetarët shqiptarë”, – tha Angjeli.
Gjithashtu theksoi ai, dje në Kuvend u vendos që të shtohet edhe 1.2 miliard lekë për rimbursimin e ilaçeve për të gjithë të sëmurët me covid-19.
“Kjo do të thotë që paketa e ilaçeve të Covid do të bëjë pjesë në listën e ilaçeve të rimbursueshme që do të thotë se qytetarët që sëmuren me Covid, për ilaçet që do të marrin nuk do të paguajnë. Kësaj i shtohen edhe 2.5 miliardë lekë që u vendosën dje në parlament për pagesën e ndihmës ekonomike, që dyfishon ndihmën ekonomike për gjithë vitin e ardhshëm. Ky ndihmë ishte e dyfishuar deri në 31 dhjetor të 2020 por tani u vendos që ky dyfishim të vazhdojë e dhe gjatë gjithë vitit të ardhshëm. Të gjitha këto bëjnë në total shumën prej 16,6 miliardë lekë 23.3% më shumë se vitin e kaluar dhe kjo tregon karakterin antikrizë antocovid të buxhtit 2021 dhe tregon vizion e qeverisës dhe të kryeministri për të pasur kujdesin ndaj qytetarit në këtë kohë krize”, – deklaroi Angjeli.
Shqipëria ka paguar 1.5 miliardë lekë për të siguar vaksinën anticovid. 1.4 milionë vaksina që do të jenë të pranishme në fillimin e vitit tjetër pjesë-pjesë sipas kontratës.
Angjeli tha se rritja e pagës për mjekët nuk është për efekt elektoral pasi Kryeministri e ka deklaruar më përpara se do të ketë një rritje të konsiderueshme të pagave për personelin shëndetësor që tashmë janë konsideruar heronj të bluzave të bardha për shërbimin që po kryejnë dhe nuk ka efekt elektoral por mirënjohje dhe shpërblim real për ata që punojnë në shërbim të njerëzve.
“40% rriten pagat për mjekët dhe personalin shëndetësor dhe 15% rriten pagat për mësuesit që punojnë me fëmijët e studentët. Ky është një qëndrim i politikës sociale të qeverisë dhe jo një qëndrim i politikës elektorale siç kërkojnë ta interpretojnë”, tha Angjeli.
Ai tha se “rindërtimi nga tërmeti ka qenë një prioritet i qeverisës shqiptare. Vitin e kaluar u vunë në dispozicion 34 miliardë lekë kurse sivjet janë vënë në buxhetin e shtetit 28 miliardë lekë pa përfshirë këtu fondin për qira që u janë dhënë qytetarëve shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti”.
Këto janë para për që shkojnë për rindërtim po me impakt në ekonomi.
Angjeli shpjegoi se që në fillim të vitit 2020 qeveria ka ndërmarrë masa lehtësuese për biznesin si në zhvendosjen e pagimit të detyrimeve fiskale apo uljen të taksave dhe përjashtim të tyre.