Numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëria është rritur ndjeshëm dhe kjo po shqetëson jo vetëm qytetarët, por edhe institucionet shtetërore. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli është shprehur se situata mbetet shqetësuese dhe shkaktare është vetë tipologjia e virusit, por edhe papërgjegjshmëria e qytetarëve. “Është një situatë shqetësuese, sepse numrat po vijnë në rritje. Kjo situatë ka të bëjë me sjelljen e virusit në këtë stinë vjeshtë-dimër, por ka të bëjë edhe me atë se qytetarët nuk po i respektojnë masat, sidomos në këtë periudhë të rritjeve të rasteve”, tha ajo.
Më tej Rakacolli u shpreh se karantina është në dorë të qytetarëve, pasi nëse ata respektojnë masat e marra për të parandaluar Covid-19, atëherë nuk do të ketë mbyllje. Por shumë qytetarë nuk e mbajnë maskën fare, disa të tjerë nuk e vendosin atë në mënyrë korrekte dhe përveç këtyre ata qëndrojnë me orë të zgjatura në bare dhe restorante dhe nuk respektojnë distancën.
“Ne jemi duke e ndjekur me shumë vëmendje situatën. Problemi i shëndetit është problem kompleks, që është i lidhur me ekonominë, por edhe me problemet e tjera sociale. Ne nuk duam të mbyllemi krejtësisht siç bëmë në fillim. Këtë nuk e duam as ne dhe as qytetarët. Që në mos të arrijmë këtu nuk e kemi në dorë ne, por këtë e kanë në dorë qytetarët. Të përdoret maska me shumë dëshirë. Njerëzit nuk e mbajnë maskën në mënyrë korrekte, vazhdojnë të qëndrojnë me orë të zgjatura në bare e restorante dhe nuk ruajnë distancën.
Gjithçka varet nga shifrat. Shifrat janë të larta dhe po rriten ndjeshëm, po rritet numri i të shtruarve, numri i vdekjeve në përputhje me numrin e të shtrimeve nuk po rritet me proporcionalitet. Një analizë e tyre e kombinuar do na detyrojë që të marrim ato masa në uljen e rasteve, por do jenë masa të mirëmenduara. Në këtë moment që po flasim jo. Gjithçka varet nga situata dhe ne jemi në 24/7 ditë të javës në monitorim të situatës. Nuk kemi mbyllje të universiteteve, por mësim online. Universitetet nuk u hapën, jo se u mbyllën”, u shpreh Rakacolli në një intervistë për Euronews. E pyetur nëse do të kemi një mbyllje të bareve dhe restoranteve, Rakacolli u shpreh se është ende duke u monitoruar dhe ende nuk është marrë një vendim.
“Po i monitorojmë, nuk mund të themi po ose jo, por akoma nuk kemi arritur në këtë rezultat. Ne po bëjmë thirrje tek qytetarët për kujdes që mos të arrijmë ta bëjmë këtë, dhe mos të shpenzojnë orë të zgjatura në bare”, tha jo. Kujtojmë se gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë shënuar 489 raste të reja dhe 6 vi ktima nga Covid-19. Ky është një rekord i ri infektimesh për Shqipërinë.