Pas takimit me përfaqësinë e naftëtarëve të Ballshit, pas grevës së urisë afro njëmujore, kryeministri Edi Rama u shpreh në një komunikim për mediat se naftëtarët, duke qenë një kategori e veçantë, do të marrin pagesa nga shteti, por jo pagat e tyre.
“Çështja e këtyre njerëzve sot është një çështje që na takon ne. Rruga thjesht ligjore, ishte të drejtoheshin në zyrën e punës për të marrë asistencën. Por, në këtë rast bëhet fjalë për një grup njerëzish që kanë eksperiencë në një fushë që ne nuk kemi luksin ta zhbëjmë dhe për këtë arsye, ne u kemi propozuar që qeveria të marrë përsipër një mbështetje financiare në kohë për këta punëtorë. Nuk mund të jetë paga e punës, pasi rafineria është e fikur. Paga e prapambetur nuk është çështja jonë, por marrëdhënia e tyre me kompaninë. Privatizimi ishte skandaloz, një lojë kriminale nga qeveria e mëparshme. Qeverisë i takon të adresojë këtë hall. Ne nuk jemi dorëzuar në lidhje me të ardhmen e kësaj rafinerie, pasi ajo nuk është për skrap. Greva nuk ekziston si opsion. Në kushte grevash unë nuk negocioj. Ne marrim përsipër të paguajmë. Atë mund të bëjnë punë të tjera. Ne nuk duam t’i humbasim për sa kohë që rafineria nuk është një kauzë e humbur dhe duhet çuar për skrap”.