Kryeministri Edi Rama solli sot shembullin e investimit të Gëzim Olajt në Bogë, për një pikë të re agroturizmi mes natyrës së mrekullueshme që mahnit këdo që shkel në ato anë. “Kulla dhe Buni i Bajraktarit në Qafë Thore janë një sipërmarrje e guximshme e njerëzve si Gëzimi, që meritojnë respekt dhe mbështetje në çdo kohë. Ferma e tij këtë vit përfitoi mbështetje nga fondet e Skemës Kombëtare për blegtorinë”, tha Rama.
Ai theksoi se “në thirrjen e tretë të programit IPARD II, Gëzimi do të aplikojë për të kërkuar mbështetje për ndërtimin e një fabrike të përpunimi të qumështit dhe mishit”. “Zhvillimi i agroturizmit në Shqipëri është sot një realitet falë politikave tona mbështetëse me fonde dhe lehtësi të veçanta fiskale”, theksoi kryeministri.
Nga ana e tij, Gëzim Olaj u shpreh se “ka 25 vite që jeton në Londër me familjen, por prej 8 vitesh është kthyer në Shqipëri për një periudhë 3 deri në 6-mujore për të zhvilluar agroturizmin në zonën e Bogës, në Qafë Thore, në kufi me Thethin”. “Ka dy vjet që kemi krijuar një fermë me dhi autoktone të vendit tonë dhe të Hasit. Po mundohemi të krijojmë cikël të mbyllur agroturizmi, që çdo gjë ta marrim nga ferma të jetë bio dhe t’i shpërbej klientëve që janë duke ardhur masivisht kohët e fundit. Edhe pse është virusi, për momentin po frekuentojnë shumë alpet tona. Është një vend shumë i bukur, natyrë e jashtëzakonshme”, tha ai.
Gëzimi u shpreh se “për blegtorinë dhe fermën ka një projekt shumë të madh”. “Kam një projekt për baxhon, për dhomën e tharjes së mishit, për një thertore. Kam projekt për një stallë lopësh, një stallë derrash dhe një stallë kuajsh, që do t’i përdorim në shërbim të agroturizmit. Për momentin kemi rreth 500 krerë dhi, bashkë me kecat. Kemi fituar një subvencionim me 12 mijë lekë të vjetra për kokë për 300 dhi. Për momentin shpresoj në të ardhmen do të shohim për ndonjë ndihmë në formën e grantit të IPARD përmes AZHBR për ndërtimin e strukturave të tjera të fermës”, tha ai.