Punimet për ndërtimin e By Pass-it të Vlorës janë intensive, të favorizuara edhe nga moti i mirë. Saga e gjatë 8 vjeçare për hapjen e 29 kilometrave të këtij aksi që lidh rrugën Levan-Vlorë me Orikumin, mbaron vitin e ardhshëm, përpara nisjes së sezonit turistik. Autoritetet shqiptare presin që fundi i punimeve të jetë në Mars. Drejtori i kantierit të By Pass-it Ilir Lamaj, nuk e përjashton, por siguron se rruga është gati në nisje të verës edhe nëse do të ketë ngjarje të paparashikuara. Ta kapim në kohë afatin kontraktual të punimeve, kështu që sezoni i ardhshëm turistik do të jetë i çlirshëm dhe By Pass do të jetë në funksion.
Aksi është i rëndësishëm jo vetëm për t’i dhënë një hov zhvillimit të turizmit në pjesën e jugut të vendit, ku koha për të arritur në qafën e Llogarasë shkurtohet ndjeshëm, por edhe për të eiminuar trafikun që krijohet në qytetin e Vlorës. Në kilometrin e 7-të, rruga do të lidhet dhe me pjesën e segmentit të Bregut të Lumit i cili lidh By Passin me fshatrat turistikë pas Llogarasë:,Duke filluar nga këtu ku jemi, KM 7, rrethrrotullimi i cili i jep akses gjithë zonës duke përfshirë dhe rrugë e Bregut të Lumit. Ka impakt të madh për ne, na shkurton distancat dhe na hap rrugë për tregti e turizëm.
Kompania që po kryen punimet ka shtruar 11 kilometra me asfalt e po punon për shtrimin e 5 kilometrave të tjerë të cilat janë gati në fund të muajit. Puna më e vështirë është ajo e ndërtimit të 5 urave, të cilat konsiderohen vepra arti. Ura 1 dhe 5 kanë përfunduar, ndërsa dy të tjera pritet të jenë gati në gjysmën e parë të janarit: Është në fazë punimi ura 3 dhe ura 4, në fazën e pilave dhe themeleve.
95% e gjurmës së rrugës është hapur, ndërsa janë kryer mbi 50% të punimeve të rrugës. E gjithë vepra kushton 35.8 milionë euro, ku një pjesë është grant i Bashkimit Europian dhe shumica e fondit kredi e butë nga BERZH. Punimet në këtë rrugë nisën në 2012-n, por problemet që pati kompania Serenissima e cila u kontraktua fillimisht për ndërtimin e segmentit, bënë që autoritetet të ritenderonin dhe njëherë projektin. Punimet nisën sërish në fund të vitit 2018.