Përfaqësues të biznesit nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor themeluan këtë javë Këshillin Rajonal të Biznesit. Këshilli i Biznesit, anëtarë të së cilës janë përfaqsuesit e 16 kompanive, të cilat zhvillojnë aktivitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, do të përfaqësojë 400.000 sipërmarrje të të gjithë rajonit dhe do të ketë si synim eleminimin e barrierave për krijimin e një mjedisi biznesi më stimulues dhe më konkurrues në rajon. Në këtë takim të organizuar në platformë on line morën pjesë anëtarët e Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF), anëtarët e Këshillit të Biznesit, Thomas Hagleitner, Drejtuesi i DG NEAR i Komisionit Europian, Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e RCC, Emir Djikic, Drejtor i Sekretariatit të Cefta dhe përfaqsues të tjerë të larte të institucioneve ndërkombëtare.

Këshilli i Biznesit parashikohet si një organ këshillimor i Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF), ku vendi ynë përfaqsohet nga Kryetarja,e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, Ines Muçostepa. Së bashku me anëtarët e Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF), Këshilli i Biznesit do të dalë me propozime dhe sugjerime politikash dhe do të jetë aktiv me qeveritë e rajonit, RCC, CEFTA dhe aktorë të tjerë të interesuar për të krijuar një mjedis biznesi më stimulues dhe më konkurrues në Ballkani Perëndimor. Për më tepër, roli i Këshillit është të promovojë një dialog të drejtpërdrejtë midis komunitetit të biznesit të Ballkanit Perëndimor dhe vendimmarrësve të BE-së, në mënyrë që të mundësojë integrimin më të shpejtë të rajonit në tregun e vetëm të BE-së, përmes qasjes gjithëpërfshirëse të zgjerimit.

Përmes nismave dhe propozimeve të tij, bazuar në katër parimet e lirive të BE (qarkullimi i lirë i mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit), Këshilli do të mbështesë zbatimin e Planit të Veprimit mbi Tregun e Përbashkët Rajonal. Së bashku me Anëtarët e Bordit Drejtues të WB6 CIF, Këshilli do të vendosë sistemin KPI (treguesit kryesorë të performancës) për çështjet më të rëndësishme, të cilat ndikojnë në aktivitetin e biznesit në kuadër të zbatimiit të Planit të Veprimit mbi Tregun e Përbashkët Rajonal (p.sh. pengesat që burojnë nga dinamikat e ndryshme në rajonin e procesi i harmonizimit me standardet dhe acquis e BE-së, krijimi i one-stop shop në pikat më të shpeshta të kalimit brenda rajonit, njohja reciproke e dokumentacionit tregtar, krijimi i një tregu rajonal të tregtisë elektronike, ulja e kostove të pagesave rajonale, lëvizja e lirë e punës , liberalizimi i tregtisë së shërbimeve, projektet e infrastrukturës rajonale, heqja e barrierave jo-tarifore, etj.).

Nga roli i tij këshillues, Këshilli do të sugjerojë masat e duhura, të cilat do të inkurajojnë dhe lehtësojnë zgjerimin gjithëpërfshirës. Zgjerimi gjithëpërfshirës është parimi i shkurtimit të barrierave në tregti dhe vendosja e mekanizmave të politikës së përbashkët kur plotësohen kushtet për harmonizimin e rregullave të përbashkëta dhe ngritjen e institucioneve, ose praktikave të zbatueshme. Objektivi është perspektiva e ekonomive të Ballkanit Perëndimor si pjesëmarrës të ardhshëm të plotë në tregun e brendshëm. Këshilli do të jetë aktiv për organizimin e takimeve të rregullta në formën e një platforme biznesi BE-WB6 me qëllim komunikimin e pengesave dhe mundësive për bizneset me vendimmarrësit e BE-së.