“Mezi presim që kjo situatë të marrë fund. Nuk dimë çfarë të bëjmë. Njëherë na thonë të mjekojmë sa më shumë të jetë e mundur e pastaj të mos pranojmë shumë njerëz e të qëndrojmë larg. Nuk dimë as vetë çfarë të bëjmë e si të veprojmë. Është një situatë e rëndë për të gjithë, por kësaj i thonë: hip se të vrava, zbrit se të vrava!”. Këto janë fjalët e një mjeke familjeje në një prej Qendrave Shëndetësore të Tiranës, ndërsa flet për ndryshimet e vazhdueshme të protokollit për trajtimin e pacientëve me COVID 19 në kushte shtëpie.

Ky protokoll ka vetëm pak kohë që ka ndryshuar sërish, me një urdhër të ri të Ministrisë së Shëndetësisë dhe tashmë i ndalon mjekët e familjes të mjekojnë të sëmurët me koronavirus me antibiotikë intravenozë. Më parë, çdo qendër duhet të bënte gati një dhomë injeksionesh dhe 2 infermiere për Covid, të cilat duhet të pajiseshin dhe me veshjet e duhura mbrojtëse gjatë kryerjes së injeksioneve. Ndërsa tashmë situata ka ndryshuar, pasi në radhët e infermierëve ka pasur raste me Covid. Por, ky rregull i ri, në disa raste është vështirë të zbatohet. Protokolli i mjekimit për pacientët me Covid ndryshon nga njëri mjek familjeje tek tjetri. “Përpiqemi të zbatojmë protokollin, por ndonjëherë dalim edhe jashtë tij, për shkak të situatës dhe momentit ku mund të ndodhet i sëmuri”, shprehet S.I, një mjeke familjeje. “Ata pacientë që mjekohen me medikamente itravenozë shfaqin shenja më të shpejta përmirësimi. Pacientët që janë trajtuar me medikamente në formë tablete, ka pasur raste, që pas disa ditësh kanë shfaqur edhe përkeqësim të parametrave të gjakut.”, pohon S.I.

Edhe L.N. një pacient, i cili sapo ka përfunduar mjekimin për COVID 19 pohon për gazetën “Si” se situata e krijuar nuk është aspak e lehtë, por ai arriti, që në mënyrë private të sigurojë një infermiere, që t’i bëjë mjekim intravenoz në shtëpi. “Është një infermiere që punon në një qendër shëndetësore, por që erdhi në shtëpi për të më bërë mjekim intravenoz në bazë të pagesës prej 25 mijë lekësh në ditë”, shprehet ai.

Ndërsa M.R, e cila vazhdon të jetë e karantinuar në kushte shtëpie (tashmë të prekur janë edhe bashkëshorti dhe vjehrra e saj) ka gjetur rrugëzgjidhje, duke iu drejtuar një spitali privat. Për të është hera e dytë që preket nga koronavirusi, por këtë herë në një formë shumë të rënduar.“Isha gati në depresion. Nuk arrija ta besoja që u infektova përsëri. Por mjeku më tha që  me sa duket nuk kisha krijuar antitrupa mjaftueshëm herën e parë, pasi isha në stad të lehtë të sëmundjes. Këtë herë isha shumë keq dhe kisha probleme të mëdha me frymëmarrjen. Nuk shkova në qendër shëndetësore, edhe pse mjeku i familjes na u gjend afër. Për shkak të kohës, por edhe frikës u drejtova direkt në spital privat. Kisha nevojë për mjekim intravenoz dhe mjeku i familjes nuk mund të më mjekonte në kushte shtëpie veçse me antibiotikë nga goja. Megjithatë, nëse do të kisha shkuar te mjeku i familjes do të kisha eliminuar kosto”, shprehet ajo.

M. tregon se kura e trajtimit për të shkoi 40 000 lekë (400 mijë lekë të vjetra), ndërsa ilaçet i ka blerë privatisht në farmaci.“Di të them që antibiotiku që në Greqi mund ta blesh për 4 Euro këtu shitet për 70 mijë lekë.”, – shprehet ajo, ndërsa specifikon se për mjekim ka përdorur medikamente, ku përfshihen: cefixime, dexamathazone, omeprazol, xarelto. Por si mund të mjekohet një pacient me COVID 19 në kushte shtëpie sipas protokollit të ri? Sipas protokollit, mjekët e familjes udhëzojnë që në shtëpi mund të mjekohen format e lehta dhe format e mesme të sëmundjes, domethënë me pneumoni ku imazheria nuk evidenton lezione të shtrira dhe Sat O2 është mbi 93-94 përqind. Risi tashmë është vizita për të sëmurin apo edhe bërja e ekzaminimeve në banesë. Nga vizita e mjekut përcaktohet nëse format e lehta, ato me pneumoni dhe saturime mbi 92 % do të trajtohen në shtëpi. Sipas prtokolit të ri që gazeta “Si” disponoin, i infektuari duhet të dërgohet urgjentisht në spital sapo të shfaqen treguesit e formës së rëndë apo shumë të rëndë. Selektimin për diçka të tillë e tregon vetëm skaneri, i cili nuk duhet të bëhet që ditën e parë të shenjave, por në ditën e 5 ose të 6 të sëmundjes.

“Kryerja e CT pulmonare bëhet ditën 5-6, për të orientuar shumë mbi vetë nozologjinë, ndihmon në selektimin e rasteve, që duhet të transferohen në kohën e duhur në spital dhe aplikimin e terapisë të përshtatshme në klinikë apo në njësinë e terapisë intensive.” Mjekët e familjes shprehen se përballen me dhjetëra raste pozitivë Covid 19 në ditë dhe 90 % e tyre po e kalojnë në shtëpi.

TERAPIA Sipas protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë, për temperaturën këshillohet më shumë dhënia e paracetamolit se sa e antiinflamatorëve. “Mund të jepet paracetamol 0.5 çdo 6 orë nga goja. Tachipirina (paracetamol eferveshent vepron më shpejt) mund të jepet 1 gram X 2/në ditë dhe i tretur në një gotë ujë. Përdorimi i tij lehtëson mialgjinë. Për kollën, që zakonisht është e thatë dhe bezdisëse mund të përdoren përgatesa bimore zbutëse (zakonisht në formë shurupi), duke shmangur antitusigjenët qendrorë.” Terapi mbështetëse Acid ascorbic: 500 mg tre herë në ditë për 7 ditë Pirodixine: tre herë një tablet Tiamine: tre herë në ditë për 7 deri në 10 ditë Mjekimi zëvendësues I sëmuri duhet të ruajë një hidratim të mirë, sepse temperatura, pakësimi i oreksit. etj., mund të shpien në dehidratim. Veç lëngjeve dhe çajrave, si dhe një diete të ekuilibruar, jo të rëndë, këshillohet përdorimi i solucioneve hidratuese të trisolit (1 qese e tretur në një gotë ujë 3-4 herë në ditë për 3-5 ditë rresht).

“Përdorimi i antibiotikëve nuk ka vlerë në rastet e pandërlikuara. Në raste nevoje mund të përdoren antibiotikë në varësi të llojit të infeksionit bakteror shoqërues apo të mbivënë.”, vërehet në protokoll, ndërsa vijohet se, gjithsesi, “në rast temperature të zgjatur, toksikoze të shprehur, kollë me sputum e rëndim të frymëmarrjes mund të përdoren për 7 ditë ose azitromicina (tablet 0.5X 1/ditë) për tre ditë apo edhe moxifloxacina 400 mg x 1/ditë për 5 ditë, ose levofloxacina 500 mg një tabletë në ditë.” I sëmuri cilësohet i shëruar kur temperatura qëndron normale prej mbi tre ditësh, gjendja e përgjithshme është përmirësuar, ka përmirësim të ndjeshëm të simptomatologjisë respiratore, ka përmirësim të ndjeshëm të repertit radiologjik pulmonar dhe ka negativizim.

TRAJTIMI SIPAS STADEVE Forma e lehtë, Stadi I Në moshat e reja dhe të pa shoqëruara me sëmundje të tjera jepen: Vitaminoterapi (Vitaminë C) Lëngje Antipiretikë kur ka temperaturë (paracetamol çdo 4 orë) Trisol kur ka diarre Shurup kolle kur ka kollë Format e lehta në të sëmurët kronikë Mund të fillohet me mjekim nga goja dhe me antibiotikë si azitromicin apo levofloxsacin sipas rastit dhe antiagregant nga goja si aspirinë 100 mg. Të sëmurët kronikë që marrin antikogulantin sipas diagnozës e vazhdojnë atë (psh xsarelto 15 mg). Forma e mesme (oksigjenoterapia, më pak se 94) Marrjen e antibiotikëve nga goja (azitromicin 500 mg, levofloxsacin 500 mg) Kortizonikët merren vetëm në rastet kur ka filluar vështirësia në frymëmarrje dhe ka të paktën 6-7 ditë temperaturë. Kortizoniku zgjidhet të merret nga goja si Medrol apo prednizon, duke patur parasysh gjithmonë efektet anësore dhe kundërindikacionet që ka (ulçera, HTA, diabet, glaukoma etj) Në këto forma jepen edhe antikoagulantë nga goja

KORTIZONI, JO NË KUSHTE SHTËPIE Në protokoll theksohet që injeksionet e kortizonit nuk duhet të bëhen në kushte shtëpie dhe ato përdoren në kushte spitalore, ndërsa më me efekt është dexametazoni e metilprednizoloni. “Niveli i oksigjenit duhet të vlerësohet edhe në varësi të moshës dhe të sëmundjeve të tjera që pacienti ka. Të vlerësohet drejt e të mos neglizhohet dhe të dërgohet shpejt në spital e jo kur ky nivel është shumë i ulur se rrezikon seriozisht jetën e të sëmurit.” Në të gjithë rastet jepen vitaminoterapi, antipiretikë, lëngje për rehidrim sipas rastit, shurup për kollë apo medikamente lehtësuese sipas problematikave që paraqet i sëmuri. Rastet e rënda detyrimisht duhet të trajtohen në spital. Medikamentet në shtëpi duhet të jepen oral. Përjashtim rastet kur ka të vjella, të cilat duhen trajtuar dhe ndërprerë. Në rastet kur gjykohet se i sëmuri duhet të marrë mjekim parenteral apo ka nevojë për perfusion lajmërohet 127, ndërsa analiza gjaku kërkohen vetëm në rastet që mjeku i gjykon të domosdoshme. Analiza specifike për koagulim jepen vetëm në raste kur ka rrezik për ngjarje kardiovaskulare me rekomandimin e mjekut që e ka në ndjekje. Marrja e gjakut në shtëpi do të kryhet vetëm nga personeli i caktuar në çdo qendër shëndetësore me të gjitha veshjet e pajisjet përkatëse. Në raste të veçanta kur ky mund të ketë nevojë për mjekim me injeksione të rekomanduara nga specialist, ky shërbim ofrohet nga infermierët e Qendrave Shëndetësore në bazë të udhëzimeve të operatorit.

KËSHILLAT PËR MJEKËT Në shkresën dërguar qendrave shëndetësore, theksohet se bazuar në format e shfaqura të virusit, pacienti duhet të mjekohet me medikamente antibiotikë nga goja dhe jo gjilpëra. Ndërsa të sëmurët duhet të jenë në ndjekje mjekësore profesionale cilësore dhe duhet “të shmangin mjekime të improvizuara dhe të panevojshme nga persona të ndryshëm.” “Të sëmurët të mos drejtohen të gjithë në spitale, duke rrezikuar ndër të tjera, shtimin e përhapjes së infeksionit. Familjarëve t’u jepen këshillat e nevojshme nga mjekët, informacionet e duhura për ecurinë e sëmundjes, si edhe iu shpjegohet nga mjeku dhe mënyra e përkujdesjes që duhet të zbatojnë ndaj këtyre të sëmurëve. Familjarëve iu vihen në dukje dhe shenjat treguese fillestare të përkeqësimit,që mund të jetë dhe i shpejtë, në mënyrë, që të sinjalizohet në kohë mjeku i familjes dhe të merren masat e duhura.”, – thuhet mes të tjerash në protokoll. Sipas protokollit, “Mjekët e familjes udhëzojnë që triazhi mbetet thelbësor, si dhe këshillojnë pacientin të rrijë në dhomë i izoluar, të përdorë maskën dhe të mos rrijë më afër se një metër distancë kur kontakton anëtarë të tjerë të familjes”. Ndërsa për të sëmurin duhet “Të përdoren enë të veçanta.” Për mjekët e familjes kjo përfshin disa detyra në rrafshin e diagnozës dhe përcaktimit të formës klinike të sëmundjes, inkubacioni i së cilës luhatet nga 1 deri 14 ditë, zakonisht 3-7 ditë.

FORMAT KLINIKE TË COVID 19 Nga pikëpamja klinike infeksioni nga COVID 19 klasifikohet në disa forma. Forma e lehtë (Stadi I) Karakterizohet nga shenja të lehta, si: lodhje, temperaturë jo e lartë (deri 38 gradë C), kollë të thatë. Disa herë mund të kemi dhe dhimbje fyti, bllokim të hundëve, rinorre, artormialgji. Pa shenja të pneumonisë. Forma e mesme (Stadi II)Shenjat e përgjithshme, si: këputja, temperature (që zgjat mbi 5 ditë), kolla, mialgjia  dhe shenjat respiratore janë më të theksuara se në formën e lehtë. Dallimin nga forma e mësipërme e bën prani, në imazherinë pulmonare, e pneumonisë (në fazën fillestare të sëmundjes vërehet imazh nodular dhe/ose intersticial, sidomos në periferi të parenkimës. Më pas shihen alteracione bilaterale me pamjen e “ground-glass” dhe infiltrime inflamatore. Tek të sëmurët rëndë shihen edhe shenja konsolidimi,ndërsa versamenti pleural është i rrallë.

Forma e rëndë (Stadi III) Shenja si takipnea: frekuenca respiratore 30 ose mbi 30/minutë, sat O2: 93 përqind (në ajrin e mjedisit), grafia/CT pulmonare: progredim i lezioneve pulmonare të pneumonisë mbi 50 përqind brenda 24-48 orëve. Forma shumë e rëndë (Stadi IV) Karakterizohet nga prania e njërës prej shenjave vijuese, si: shfaqja e insuficiencës respiratore, që kushtëzon aplikimin e ventilimit mekanik, shfaqja e shokut, shfaqja e insuficiencës së organeve të tjera, të cilat detyrojnë kalimin e të sëmurit në njësinë e terapisë intensive.(SI)