Monika Kryemadhi mund të ishte dhe Zonja e Parë e Shqipërisë. Çifti presidencial zgjodhi që kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, partisë që Ilir Meta ia përcolli Petrit Vasilit për t’ia kaluar më pas bashkëshortes së tij, të mos e mbante këtë status zyrtar. Por kjo nuk e ndryshon faktin që Monika Kryemadhi është bashkëshortja e presidentit të Shqipërisë. Dje ajo ka bërë një zbulim në media. E ka lëshuar si pa të keq, por në fakt, rëndësia e fjalëve që ka nxjerrë nga goja gruaja e Ilir Metës është shumë më e madhe. Kryemadhi ka thënë se e ka kaluar tashmë Covid-19. Ka thënë edhe që gjatë kohës që ka qenë e infektuar, ajo ka puthur në buzë të shoqin, po kjo nuk përbën ndonjë interes për shëndetin e shqiptarëve.
Ajo që përbën interes është që, Monika Kryemadhi, si kryetare e një partie në opozitë, si bashkëshorte e Presidentit të Republikës, si një personazh publik që për muaj të tërë u ka thënë njerëzve se Covid-19 nuk ekziston dhe se mund të luf tohet me hudhra dhe raki, të tregojë sot, se në cilën periudhë kohore e ka kaluar Covid? Më tej, është e detyrë e mediave, e institucioneve përgjegjëse, të bëjnë një ballafaqim të thjeshtë të fakteve: A ka zhvilluar Monika Kryemadhi aktivitete publike gjatë kohës që thotë se ka qenë e prekur me Covid-19? A ka shkelur Monika Kryemadhi ligjin që ka dekretuar bashkëshorti i saj? A është infektuar Presidenti i Republikës, që ndan krevatin me të shoqen, dhe a e ka ai detyrim që të bëjë transparencë? Më e rëndësishmja: Sa qytetarë mund të ketë infektuar Monika Kryemadhi, direkt dhe indirekt?
Direkt duke shkëmbyer duarshtrëngime dhe përqafime në aktivitetet e saj politike, edhe ato në shkelje të rregullave. Indirekt duke u thënë se nuk ka Covid apo duke u kërkuar të heqin maskën në prani të saj. Çifti presidencial ka detyrimin të bëjë transparencë. Le të gjejë kohë në hapësirën mes mbledhjeve të komitetit presidencial që kryeson ish ministri Veteriner.